Pas shekujsh traditë, Krishtlindja dhe Viti i Ri festohen me tryeza të mbushura plot, ndërsa Thanksgiving ka më shumë se 400 vjet histori, një festë gjatë së cilës, sipas traditës, familjet kujdesen të kenë ushqime të bollshme në tryezë. Nga darka e Thanksgiving në Amerikë, që e ka zanafillën në vitin 1621, te Krishtlindjet, kremtimi i të cilave dokumentohet që në vitin 336, ushqimi ka qenë një nga simbolet më të rëndësishme të festimit. Një traditë që vazhdon edhe sot, jo vetëm në SHBA, por edhe në familjet shqiptare kudo në botë, ku festat shoqërohen me tryeza të pasura dhe gatime që mbledhin njerëzit e zemrës. Por duket se një medikament po ndryshon mënyrën se si njerëzit i përjetojnë dhe kremtojnë festat. Ai është i famshmi Ozempic.
Si po ndikon Ozempic te zakonet festive
Ozempic dhe medikamentet e tjera të grupit GLP-1 po ndikojnë jo vetëm në mënyrën se si njerëzit ushqehen, por edhe në mënyrën se si përjetojnë takimet familjare, darkat festive dhe marrëdhënien me ushqimin. Duke ulur oreksin dhe duke krijuar ndjesinë e ngopjes më shpejt, këto medikamente bëjnë që shumë përdorues të mos kenë më dëshirën për të konsumuar sasi të mëdha ushqimi, të provojnë çdo gatim në tryezë apo të shijojnë ëmbëlsirat që dikur ishin pjesë e pandashme e festave. Një artikull i Harper’s Bazaar, nga autorja Minda Honey, sjell disa histori që tregojnë se si ky ndryshim po reflektohet në jetën familjare dhe në mënyrën se si njerëzit po i përjetojnë festat. Quanisha Green, 41 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj përdorin të dy medikamente GLP-1.
Kur ata vendosën të organizonin darkën festive, diskutuan se cilat receta duhej të ndryshonin dhe cilat të mbeteshin siç ishin. Në fund, vendosën të mos preknin makaronat tradicionale me djathë, një nga gatimet e tyre të preferuara, por thjesht të konsumonin porcione më të vogla. Pra, një modifikim i menusë tradicionale si pasojë e efekteve që jep përdorimi i këtyre medikamenteve.
Një tjetër histori është ajo e Tania Cornejo, 41 vjeçe, nënë e tre fëmijëve, e cila nisi trajtimin me GLP-1 pas diagnostikimit me diabet. Ajo tregon se me kalimin e kohës i ndryshoi ndjeshëm marrëdhënia me ushqimin. Nuk kishte më të njëjtën dëshirë për ëmbëlsirat dhe pijet e gazuara, ndërsa humbja e peshës i solli edhe lehtësim të dhimbjeve të gjunjëve dhe më shumë energji. Sot, familja e saj i përjeton festat ndryshe: në vend që ushqimi të jetë gjithmonë në qendër, ata kalojnë më shumë kohë duke luajtur lojëra, dëgjuar muzikë dhe shijuar shoqërinë e njëri-tjetrit.
Interesi në Shqipëri
Ozempic dhe medikamentet e tjera për humbjen në peshë nuk janë më një temë që diskutohet vetëm në Hollywood apo në mediat amerikane. Edhe në Shqipëri, interesi për këto trajtime është rritur dhe gjithnjë e më shumë flitet për efektet e tyre, përdorimin dhe ndikimin që mund të kenë në jetën e përditshme. Madje, disa personazhe të njohur shqiptarë kanë nisur të flasin publikisht për përvojat e tyre me këto medikamente. Disa prej tyre kanë treguar se përdorimi i Ozempic-ut nuk lidhej thjesht me dëshirën për të humbur peshë, por edhe me problematika shëndetësore, si rezistenca ndaj insulinës, dhe se vendimi për ta përdorur ishte marrë pas konsultimeve mjekësore. Kështu, një temë që deri pak kohë më parë lidhej kryesisht me transformimet fizike të personazheve të famshëm, po merr një dimension më të gjerë, duke përfshirë edhe diskutimin mbi shëndetin dhe mënyrën e jetesës.
A do të jenë tryezat shqiptare më të vogla?
Duke pasur parasysh efektin që këto medikamente kanë në uljen e oreksit dhe krijimin e ndjesisë së ngopjes më të shpejtë, fenomeni bëhet edhe më interesant në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, periudha kur tryezat shqiptare mbushen me gjel deti, përshesh, sallata, bakllava, ëmbëlsira dhe gatime të tjera tradicionale. Nëse në disa familje amerikane tryezat e Thanksgiving këtë vit janë shtruar me më pak ushqim, pikërisht për shkak të ndryshimit të zakoneve ushqimore që sjell përdorimi i Ozempic-ut, lind pyetja: A do të ndodhë e njëjta gjë edhe në Shqipëri? A do të jenë tryezat tona festive më pak të bollshme këtë vit, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz po përdorin këto medikamente?
Burimi: bordo.al










