TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Qeveria miratoi sot vendimin mbi kushtet dhe mënyrën e mbrojtjes së veçantë për drejtorin e përgjithshëm dhe punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), kur jeta, familja ose prona e tyre kërcënohen për shkak të detyrës.
Sipas vendimit, mbrojtja e veçantë ofrohet kur një punonjës i Agjencisë kërcënohet nga veprime të paligjshme të personave të tretë gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij.
Mbrojtja përfshin ruajtjen ose shoqërimin fizik të punonjësit të rrezikuar dhe të familjarëve të tij, si dhe ruajtjen e pronës.
Për të përfituar nga mbrojtja, duhet të ekzistojnë rrethana serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën, një situatë që kërkon masa të menjëhershme për shmangien e dëmit, si dhe një lidhje shkakësore midis rrezikut dhe ushtrimit të ligjshëm të detyrës.
Vendimi parashikon krijimin, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të AMSEVP-së, të Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve (KVK), i cili do të shqyrtojë kërkesat për mbrojtje të veçantë. Komisioni përbëhet nga drejtori i Drejtorisë së Hetimit, drejtori i Drejtorisë së Analizës dhe Sigurisë, drejtori i Drejtorisë së Inspektimit dhe Ankesave dhe drejtues të degëve territoriale.
Kërkesën për mbrojtje mund ta paraqesë vetë punonjësi i kërcënuar, strukturat e Agjencisë që marrin dijeni për rrezikun, ose çdo organ tjetër publik që vihet në dijeni të rrethanave serioze.
Komisioni vendos pranimin ose refuzimin e kërkesës brenda 10 ditëve nga paraqitja e saj dhe, nëse pranohet, përcakton masat konkrete të mbrojtjes. Vendimi miratohet nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë dhe përcakton gjithashtu kohëzgjatjen e masave, mënyrën e zbatimit dhe shpenzimet përkatëse.
Në rast rreziku serioz dhe të menjëhershëm, drejtori i përgjithshëm i AMSEVP-së mund të urdhërojë menjëherë strukturat përkatëse të marrin masa për sigurinë e jetës, familjes dhe pronës së punonjësit të kërcënuar. Këto masa i nënshtrohen shqyrtimit të Komisionit brenda 10 ditëve.
Dispozitat zbatohen edhe për drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë. Nëse i kërcënuar është vetë drejtori i përgjithshëm, kërkesa i paraqitet ministrit përgjegjës për drejtësinë, i cili urdhëron marrjen e masave për mbrojtjen e veçantë.
Vendimi ngarkon Ministrinë e Drejtësisë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale me zbatimin e tij dhe hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
/m.m/r.e/
Burimi: ata.gov.al










