GJKKO pranon kërkesën e SPAK dhe kalon për gjykim dosjen për rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra në Mat. Për ngjarjen akuzohen Fation Bushgjokaj, dy vëllezërit e tij, Kristë dhe Aleksandër Bushgjokaj, si dhe Petrit Hoxha, alias Petrit Çakraj.
Ngjarja dhe gjetja e trupit
Kujtojmë se ngjarja e rëndë u raportua nga policia mëngjesin e 9 korrikut 2025, kur i riu u gjet i pajetë pranë liqenit të Ulzës, Shkopet, pasi ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij.
Procedura gjyqësore dhe masa e sigurisë
Më 20 shtator 2025, Gjykata e Dibrës shpalli moskompetencën për këtë çështje, duke e kaluar dosjen në Prokurorinë e Posaçme për hetime të mëtejshme. Më herët, gjykata u kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarit, të cilët mendohen të kenë vepruar si një grup kriminal.
Akuzat dhe hetimet
Nga hetimet e kryera, dyshohet se të arrestuarit kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng 23-vjeçarin, trupi i të cilit u gjet me shenja dhune pranë liqenit të Ulzës, Shkopet. Motivi i krimit lidhet me konfliktet për trafikun e drogës. Konflikti me tre vëllezërit dhe Petrit Çakrrin dyshohet se ka ardhur pasi Dobra ka tentuar t’i mashtrojë disa herë për sasitë e lëndëve narkotike, detaje që me sa duket u kuptuan nga grupi kriminal.
Vetë Dobra ka qenë dënuar në Gjermani për shpërndarje të lëndëve narkotike, si pjesë e një grupi kriminal, dhe më pas ishte deportuar në Shqipëri.
Burimi: abcnews.al










