Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për një prej dosjeve të bujshme të krimit të organizuar, ashtuquajturën “dosja Revanshi”. Në bankën e të akuzuarve ishin 12 persona, mes tyre emra të njohur të botës së krimit, si Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi.
Dënimet e dhëna nga GJKKO
Me vendimin e datës 27 nëntor 2026, GJKKO dënoi në total me 78 vite e 4 muaj të pandehurit, pas llogaritjes përfundimtare, duke përfshirë zbritjen me 1/3 të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. SPAK kishte kërkuar 93 vite në total. Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi u dënuan secili me nga 10 vite burg. Të dy u shpallën fajtorë për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Naim Stafuka mori dënimin përfundimtar prej 5 vitesh burg, ndërsa Xhelal Rraja 4 vite. Dënime të tjera u dhanë edhe për pjesën tjetër të të pandehurve.
Lista e dënimeve
1. Astrit Avdyli – 10 vite
2. Emiljano Shullazi – 10 vite
3. Naim Stafuka – 5 vite
4. Blerim Abazi – 6 vite
5. Besian Xhixha – 6 vite e 8 muaj
6. Enver Diva – 6 vite e 8 muaj
7. Robert Laçi – 6 vite
8. Gjergji Cukali – 8 vite
9. Viktor Imeraj – 6 vite e 8 muaj
10. Satilno Basho – 6 vite
11. Xhelal Rraja – 4 vite
12. Miri Bruli – 3 vite e 4 muaj
Planet e hetuara për vrasje
Dosja “Revanshi” përfshin disa episode të dyshuara të planifikimit të vrasjeve, ku objektiva ishin emra të njohur të botës së krimit shqiptar. Mes episodeve të hetuara përmenden planet për vrasjen e Durim dhe Valter Bamit, Preng Gjinit, Ervis Martinajt, Erigers Mihasit, Elvis Gacajt, Altin Gegës, Fatmir dhe Armando Hysenit, si dhe Arben Ndokës.
Ndaj anëtarëve të grupit ka edhe akuza për mbajtje armësh pa leje, për komunikime që organizonin veprimtari kriminale nga burgu, për futjen e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit.
Vendimi i plotë i GJKKO
Gjykimi u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 77, datë 27.11.2026, vendosi deklarimin fajtor dhe dënimet për secilin prej të pandehurve, sipas veprave penale përkatëse të parashikuara nga Kodi Penal. Për Astrit Avdylin, gjykata vendosi dënim të vetëm prej 15 vitesh, i cili u zbrit me 1/3 për shkak të procedurës së shkurtuar, duke rezultuar në 10 vite burg, me periudhë sigurie të plotë. Për Emiljano Shullazin u vendos një dënim i ngjashëm, gjithashtu me periudhë sigurie të plotë.
Gjykata urdhëroi edhe konfiskimin e pistoletës Glock 17, 34 fishekëve dhe dy krëhërave të sekuestruara gjatë kontrollit të banesës së Astrit Avdylit, si dhe shpenzimet procedurale, që i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare. Miri Bruli u lirua menjëherë, pasi koha e paraburgimit tejkaloi dënimin e caktuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit.
Burimi: gazetashqiptare.al










