Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të ndalojë çdo agresion ushtarak në Evropë dhe të hapë rrugën për një marrëveshje paqeje për Ukrainën, ndërsa Uashingtoni po shtyn afatin për rishikimin e pranisë së tij ushtarake në kontinent.
Në një postim në Truth Social, Trump shkroi se gjatë bisedimeve të fundit në Kinë me Putinin, i ka kërkuar liderit rus që të “tërhiqet nga i gjithë agresioni ushtarak kundër territoreve në mbarë Evropën, me shpresën se mund të arrihet një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe të arrihet shpejt”.
Duke e përshkruar konfliktin si një “gjakderdhje” që viktimizon mijëra njerëz çdo muaj, Trump, në postimin e 26 nëntorit, mori një qëndrim më të ashpër ndaj Moskës, vetëm disa ditë pasi u kritikua për e kishte quajtur Putinin “miku im”.
Duke folur me gazetarët dhe ushtarakët amerikanë më vonë po atë ditë, Trump e mbrojti ndryshimin e retorikës si një taktikë pragmatike negociuese, duke pranuar se një natë më parë kishte diskutuar “gjatë” për dislokimin e forcave në Evropë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida. “Kam qenë shumë i ashpër ndaj Rusisë, por dua të arrij një marrëveshje”, tha ai, duke argumentuar se marrëdhëniet personale janë thelbësore.
Kur u pyet nëse do të zvogëlojë rreth 80.000 trupat amerikane të stacionuara në Evropë, kryesisht në Gjermani, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar, Trump theksoi se, edhe pse aleatët evropianë fillimisht “nuk ndihmuan” lidhur me Iranin, progresi i fundit për Grenlandën, mbështetja e shtuar e NATO-s në lidhje me Iranin dhe zotimet e aleancës për të rritur shpenzimet e mbrojtjes deri në pesë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si dhe blerja e 750 avionëve luftarakë F-35, “më bënë të ndihem pak më ndryshe”.
SHBA-ja ka trupa edhe në Kosovë, si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR. Uashingtoni ka paralajmëruar ndryshime në kontributin e tij në KFOR, ndërsa në qershor Komanda Evropiane e SHBA-së konfirmoi se do ta përshtatë gradualisht kontributin amerikan në mision, në përputhje me planet e NATO-s.
Shtyrja e rishikimit
Zëvendësambasadori amerikan në NATO, Scott Oudkirk, i informoi diplomatët e vendeve aleate gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Bruksel këtë javë se Uashingtoni do ta shtyjë publikimin e rishikimit të dislokimit të forcave amerikane në Evropë përtej 1 dhjetorit, siç ishte planifikuar më parë.
Zyrtarë të lartë amerikanë, që folën për Radion Evropa e Lirë më 26 nëntor me kusht anonimati, thanë se Pentagoni po finalizon pesë opsione të veçanta, secili me një vlerësim formal ushtarak nga Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, dhe se këto do t’i paraqiten së shpejti Trumpit. Ata nuk mundën të thonë nëse vendimi përfundimtar do të shpallet para samitit të ardhshëm të G20-s në Florida, ku sipas Trumpit presidenti rus është i mirëpritur të marrë pjesë.
Vlerësimi i ofertave të aleatëve dhe ndryshimi i prioriteteve
Një nga faktorët kryesorë që ka shtyrë rishikimin është se Uashingtoni ende po vlerëson ofertat e aleatëve evropianë për të ofruar kapacitete që mund të zëvendësojnë forcat dhe pajisjet aktuale amerikane, sipas diplomatëve të NATO-s të informuar për takimet e javës në Bruksel.
Javën e kaluar në Bruksel, zëvendës-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, tha se shpreson që afati i 1 dhjetorit për t’ia dorëzuar raportin përfundimtar sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të mbahet, duke lavdëruar “përparimin e jashtëzakonshëm” të vendeve, përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Holandën dhe shtetet nordike, për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje.
Colby ka vizituar së fundi Rumaninë, Poloninë dhe Gjermaninë për të përgatitur terrenin për ristrukturimin, të cilin Hegseth e nisi në qershor për të shqyrtuar numrin e trupave, të drejtat e përdorimit të bazave dhe lejet për fluturime mbi territorin e shteteve, ndërsa Uashingtoni zhvendos fokusin drejt Indo-Paqësorit dhe Hemisferës Perëndimore.
Presionet më të gjera politike dhe operacionale e kanë ndërlikuar afatin. Aleatët kishin parashikuar një vonesë për shkak të turbulencave politike përreth Hegseth, përkatësisht përpjekjes së pasuksesshme të Kongresit për ta shkarkuar pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Ndërkohë, operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit dhe negociatat e ardhshme me Rusinë për Ukrainën kanë nxjerrë në pah kompleksitetin strategjik të ndryshimit të arkitekturës së sigurisë në Evropë.
James Batchik, zëvendësdrejtor i Qendrës për Evropën në Këshillin Atlantik, i tha Radios Evropa e Lirë se, edhe pse nuk është e qartë cilët faktorë burokratikë, politikë apo operacionalë kanë ndikuar te shtyrja, kjo nuk e ndryshon objektivin kryesor të administratës amerikane.
“Nuk mendoj domosdoshmërisht se kjo shtyrje e ndryshon transformimin strukturor që administrata synon të realizojë në aspektin e sigurisë evropiane”, tha Batchik. “Mendoj se rishikimi i dislokimit të forcave është në të vërtetë përkthimi operacional i konceptit të NATO-s 3.0 që po shohim”.
Ai tha se stili i paparashikueshëm i vendimmarrjes së Trumpit u jep kryeqyteteve evropiane arsye për të qenë të kujdesshme, duke përmendur veprime të ndërmarra tashmë, si tërheqja e një brigade këmbësorie amerikane nga Rumania pa e zëvendësuar, dhe zhvendosja e planifikuar e 5.000 trupave nga Gjermania në Poloni.
Megjithatë, ai shtoi se operacionet amerikane në Iran i kujtuan Uashingtonit varësinë nga bazat evropiane dhe të drejtat për fluturime, duke u përballur me thirrjet për një tërheqje të gjerë.
“Evropa duhet t’i vëzhgojë nga afër këto vendime dhe këto pesë opsione”, tha Batchik, duke u bërë thirrje aleatëve që të shndërrojnë buxhetet më të larta të mbrojtjes në kapacitete konkrete strategjike mbështetëse, të cilat Evropa mund t’i duhen për t’i siguruar vetë së shpejti.
Ruajtja e parandalimit gjatë tranzicionit
Edhe pse Uashingtoni këmbëngul se angazhimi i tij për sigurinë evropiane mbetet i pandryshuar, mundësia e zvogëlimit të pranisë amerikane ka shtuar shqetësimet në krahun lindor të NATO-s lidhur me parandalimin e Rusisë.
Tsiporah Fried, bashkëpunëtore e lartë në Institutin Hudson, i tha Radios Evropa e Lirë se rreziku kryesor është “mospërputhja mes ritmit të reduktimit të forcave amerikane dhe aftësisë së Evropës për të zëvendësuar kapacitetet përkatëse”. Ndërsa aleatët evropianë rrisin shpenzimet e mbrojtjes, Fried theksoi se shndërrimi i parave në personel të trajnuar, mbrojtje ajrore dhe rezerva municionesh kërkon vite.
“Forcat amerikane në Evropë nuk ofrojnë vetëm kapacitete ushtarake: ato garantojnë përfshirjen e SHBA-së në mbrojtjen e kontinentit, ndërsa prania e tyre konvencionale kontribuon në besueshmërinë e garancisë bërthamore amerikane”, tha Fried. “Ajo forcon ndërveprueshmërinë dhe siguron që angazhimi i SHBA-së për sigurinë evropiane të mos jetë vetëm politik, por edhe operacional”.
Fried paralajmëroi se Rusia po e teston aleancën pothuajse çdo ditë, por nën pragun e konfliktit të armatosur. Si shembull të provokimeve ajo përmendi shkeljet e fundit të hapësirës ajrore polake nga Rusia gjatë stërvitjes Koalicja, një stërvitje që bashkon forcat evropiane që po përgatiten për një mision të mundshëm në Ukrainë.
“Moska po e teston në kohë reale vendosmërinë, bashkëpunimin dhe qëndrueshmërinë e aleatëve. Ajo do ta vlerësojë NATO-n jo nga zotimet për shpenzime në të ardhmen, por nga forcat, kapacitetet dhe gatishmëria që mund të dislokojë sot”, tha ajo.
Në vend që të përqendrohen vetëm te numri i përgjithshëm i trupave, Fried argumentoi se aleatët duhet të shqyrtojnë cilat kapacitete specifike do të mbeten dhe ku do të dislokohen, veçanërisht ato që janë të vështira për t’u zëvendësuar, si inteligjenca, mbrojtja ajrore, logjistika dhe infrastruktura për përforcime të shpejta.
Ajo shtoi se një reduktim i kufizuar i trupave, i shoqëruar me zhvendosjen e tyre nga Gjermania drejt aleatëve lindorë si Polonia, mund ta forcojë NATO-n nëse bëhet siç duhet.
“Shtyrja e afatit fillestar i jep Uashingtonit dhe aleatëve të tij më shumë kohë për të vlerësuar alternativat, implikimet e tyre ushtarake dhe ritmin me të cilin evropianët mund të marrin përsipër përgjegjësi shtesë”, tha Fried.
“Kjo është një mundësi për të siguruar që tranzicioni të bazohet në realitetet operacionale dhe jo thjesht në objektiva politike apo numerike”.
Takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, që do të mbahet javën e ardhshme, pritet t’u ofrojë diplomatëve të vendeve aleate një mundësi për të diskutuar ecurinë e rishikimit, edhe pa propozime zyrtare në tryezë.
Burimi: abcnews.al










