Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Trump i kërkon Putinit të ndalë agresionin, SHBA-ja shtyn tërheqjen e trupave nga Evropa

Trump i kërkon Putinit të ndalë agresionin, SHBA-ja shtyn tërheqjen e trupave nga Evropa
Foto: reporteri.al

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të ndalë çdo agresion ushtarak në Evropë dhe të hapë rrugën drejt një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën, teksa Uashingtoni po shtyn afatin për një rishikim të pranisë së tij ushtarake në kontinent.

Në një postim në Truth Social, Trump shkroi se gjatë bisedimeve të fundit në Kinë me Putinin, i ka kërkuar liderit rus që të “tërhiqet nga i gjithë agresioni ushtarak kundër territoreve në mbarë Evropën, me shpresën se mund të arrihet një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe të arrihet shpejt”.

Duke e përshkruar konfliktin si një “gjakderdhje” që vret mijëra njerëz çdo muaj, Trump, në postimin e 26 nëntorit, mbajti një qëndrim më të ashpër ndaj Moskës, vetëm disa ditë pasi u kritikua për shkak se e quajti Putinin “miku im”.

Duke folur me gazetarët dhe ushtarët amerikanë më vonë të së njëjtës ditë, Trump e mbrojti ndryshimin e retorikës së tij si një taktikë pragmatike negociuese. Ai pranoi se një natë më parë kishte diskutuar “gjatë” për dislokimin e forcave në Evropë me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida.

“Kam qenë shumë i ashpër ndaj Rusisë, por dua të arrij një marrëveshje”, tha Trump, duke argumentuar se raportet personale janë thelbësore.

Kur u pyet nëse do të reduktojë rreth 80.000 trupat amerikane të stacionuara në Evropë, kryesisht në Gjermani, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar, Trump theksoi se, edhe pse aleatët evropianë fillimisht “nuk ndihmuan” lidhur me Iranin, përparimet e fundit për Grenlandën, mbështetja e shtuar e NATO-s për Iranin dhe zotimet e aleancës për të rritur shpenzimet e mbrojtjes deri në pesë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si dhe për të blerë 750 avionë luftarakë F-35, “më bënë të ndihem pak ndryshe”.

SHBA-ja ka edhe trupa në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR. Uashingtoni ka paralajmëruar se do të ketë ndryshime në kontributin e tij në KFOR, ndërsa në qershor Komanda Evropiane e SHBA-së konfirmoi se do ta përshtatë gradualisht kontributin amerikan në mision, në përputhje me planet e NATO-s.

Ndërkohë, zëvendësambasadori i SHBA-së në NATO, Scott Oudkirk, i informoi diplomatët e vendeve aleate gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Bruksel këtë javë se Uashingtoni do ta shtyjë publikimin e rishikimit të dislokimit të forcave amerikane në Evropë përtej 1 dhjetorit, siç ishte planifikuar më parë.

Zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë më 26 nëntor në kushte anonimiteti, thanë se Pentagoni po finalizon pesë opsione të veçanta, secili i shoqëruar me një vlerësim formal ushtarak që përfshin kontributin e Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë të NATO-s. Këto opsione do t’i paraqiten së shpejti Trumpit. Zyrtarët thanë se nuk mund ta thonë nëse vendimi përfundimtar do të shpallet para samitit të ardhshëm të G20-s në Florida, ku, sipas Trumpit, presidenti rus është i mirëpritur të marrë pjesë.

Vlerësimi i ofertave të aleatëve dhe ndryshimi i prioriteteve

Një nga faktorët kryesorë që ka shtyrë rishikimin është se Uashingtoni ende po vlerëson ofertat e aleatëve evropianë për të ofruar kapacitete që mund të zëvendësojnë forcat dhe pajisjet aktuale amerikane, sipas diplomatëve të NATO-s që janë informuar për takimet e kësaj jave në Bruksel.

Javën e kaluar në Bruksel, zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, tha se shpreson që afati i 1 dhjetorit për t’ia dorëzuar raportin përfundimtar sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, do të respektohet. Ai lavdëroi “përparimin e jashtëzakonshëm” të vendeve, përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Holandën dhe shtetet nordike, për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje.

Colby vizitoi së fundi Rumaninë, Poloninë dhe Gjermaninë për të përgatitur terrenin për ristrukturimin, të cilin Hegseth e nisi në qershor për të shqyrtuar numrin e trupave, të drejtat për përdorimin e bazave dhe lejet e fluturimit mbi territorin e shteteve, ndërsa Uashingtoni e zhvendos fokusin drejt Indo-Paqësorit dhe hemisferës perëndimore.

Presionet më të gjera politike dhe operacionale e kanë ndërlikuar afatin kohor. Aleatët kishin parashikuar tashmë një vonesë, për shkak të turbulencave politike me të cilat u përball Hegseth, konkretisht përpjekjes së pasuksesshme të Kongresit për ta shkarkuar atë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

Në të njëjtën kohë, operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit dhe negociatat e ardhshme me Rusinë për Ukrainën kanë nxjerrë në pah kompleksitetin strategjik të ndryshimit të arkitekturës së sigurisë në Evropë.

James Batchik, zëvendësdrejtor i Qendrës për Evropën në Këshillin Atlantik, i tha Radios Evropa e Lirë se, edhe pse nuk është e qartë cilët faktorë burokratikë, politikë dhe operacionalë kanë ndikuar në shtyrje, kjo nuk e ndryshon objektivin kryesor të administratës amerikane.

“Nuk mendoj domosdoshmërisht se kjo shtyrje e ndryshon transformimin strukturor që administrata synon të realizojë në sigurinë evropiane”, tha Batchik. “Mendoj se rishikimi i dislokimit të forcave është në të vërtetë përkthimi operacional i konceptit të NATO-s 3.0 që po shohim”.

Batchik tha se stili i paparashikueshëm i vendimmarrjes së Trumpit u jep kryeqyteteve evropiane arsye për të mbetur të kujdesshme, duke përmendur veprime si tërheqja e një brigade këmbësorie amerikane nga Rumania pa e zëvendësuar, dhe zhvendosja e planifikuar e 5.000 trupave nga Gjermania në Poloni.

Megjithatë, ai shtoi se operacionet amerikane në Iran i kanë kujtuar Uashingtonit varësinë nga bazat evropiane dhe të drejtat e fluturimit mbi territorin e shteteve, duke u ballafaquar me thirrjet për një tërheqje të gjerë.

“Evropa duhet t’i vëzhgojë nga afër këto vendime dhe këto pesë opsione”, tha Batchik, duke u bërë thirrje aleatëve të shndërrojnë buxhetet më të larta të mbrojtjes në kapacitete strategjike konkrete, të cilat Evropa mund t’i duhen për të siguruar vetë mbrojtjen e saj së shpejti.

Ruajtja e parandalimit gjatë tranzicionit

Edhe pse Uashingtoni këmbëngul se angazhimi i tij për sigurinë evropiane mbetet i pandryshuar, mundësia e reduktimit të pranisë amerikane ka nxitur shqetësime në krahun lindor të NATO-s lidhur me parandalimin e Rusisë.

Tsiporah Fried, bashkëpunëtore e lartë në Institutin Hudson, i tha Radios Evropa e Lirë se rreziku kryesor është “mospërputhja mes ritmit të reduktimit të forcave amerikane dhe aftësisë së Evropës për të zëvendësuar kapacitetet përkatëse”. Edhe pse aleatët evropianë po rrisin shpenzimet e mbrojtjes, Fried theksoi se shndërrimi i parave në personel të trajnuar, mbrojtje ajrore dhe rezerva municionesh kërkon vite.

“Forcat amerikane në Evropë nuk ofrojnë vetëm kapacitete ushtarake: ato garantojnë përfshirjen e SHBA-së në mbrojtjen e kontinentit, ndërsa prania e tyre konvencionale kontribuon në besueshmërinë e garancisë bërthamore amerikane”, tha Fried. “Ajo e forcon ndërveprueshmërinë dhe siguron që angazhimi i SHBA-së për sigurinë evropiane të mos jetë vetëm politik, por edhe operacional”.

Fried paralajmëroi se Rusia po e teston aleancën pothuajse çdo ditë, por nën pragun e konfliktit të armatosur. Si shembull ajo përmendi shkeljet e fundit të hapësirës ajrore polake nga Rusia gjatë stërvitjes Koalicja, një stërvitje që bashkon forcat evropiane të cilat po përgatiten për një mision të mundshëm në Ukrainë, duke e cilësuar këtë si provokim të qëllimshëm.

“Moska po e teston në kohë reale vendosmërinë, bashkëpunimin dhe qëndrueshmërinë e aleatëve. Ajo do ta vlerësojë NATO-n jo nga zotimet për shpenzime në të ardhmen, por nga forcat, kapacitetet dhe gatishmëria që mund të dislokojë sot”, tha ajo.

Në vend që të përqendrohen vetëm te numri i përgjithshëm i trupave, Fried argumentoi se aleatët duhet të shqyrtojnë cilat kapacitete specifike do të mbeten dhe ku do të dislokohen, veçanërisht ato që është e vështirë të zëvendësohen, si inteligjenca, mbrojtja ajrore, logjistika dhe infrastruktura për përforcime të shpejta.

Ajo shtoi se një reduktim i kufizuar i trupave, i shoqëruar me zhvendosjen e tyre nga Gjermania drejt aleatëve lindorë si Polonia, mund ta forcojë NATO-n nëse bëhet siç duhet.

“Shtyrja e afatit fillestar u jep Uashingtonit dhe aleatëve të tij më shumë kohë për të vlerësuar alternativat, implikimet e tyre ushtarake dhe ritmin me të cilin evropianët mund të marrin përsipër përgjegjësi shtesë”, tha Fried.

“Kjo është një mundësi për të siguruar që tranzicioni të bazohet në realitetet operacionale dhe jo vetëm në objektiva politike apo numerike”.

Takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, që do të mbahet javën e ardhshme, pritet t’u ofrojë diplomatëve të vendeve aleate një mundësi për të diskutuar ecurinë e rishikimit, edhe pa propozime zyrtare në tryezë./REL/

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha