WhatsApp pritet të bëhet edhe më praktik për përdoruesit, pasi ka njoftuar prezantimin e një funksioni të ri që lejon programimin e mesazheve për t’u dërguar automatikisht në një datë dhe orë të caktuar.
Si funksionon
Kjo risi u vjen në ndihmë të gjithë atyre që duan t’i dërgojnë dikujt një mesazh, por nuk dëshirojnë ose nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë në momentin që e shkruajnë. Në vend që të mbajnë mend ta dërgojnë më vonë, përdoruesit do të mund ta planifikojnë që më parë.
Procesi do të jetë mjaft i thjeshtë. Pasi të shkruani mesazhin, mjafton të mbani të shtypur butonin e dërgimit (Send) dhe më pas të zgjidhni datën dhe orën kur dëshironi që ai të mbërrijë te marrësi.
Kufizimet dhe mundësitë
Mesazhet mund të programohen deri në 14 ditë përpara dhe funksioni do të jetë i disponueshëm si në bisedat private, ashtu edhe në grupet e WhatsApp.
Një tjetër detaj interesant është se përdoruesit do të mund të programojnë jo vetëm mesazhe me tekst, por edhe dërgimin e fotove dhe videove. Ndërkohë, mesazhet e planifikuara mund të kontrollohen paraprakisht dhe të fshihen nëse dërguesi ndryshon mendje.
Një nga veçoritë më praktike të këtij funksioni është se mesazhi do të dërgohet në orarin e përcaktuar edhe nëse telefoni i dërguesit është i fikur ose i ka mbaruar bateria.
Siguria
WhatsApp ka bërë të ditur gjithashtu se mesazhet e programuara do të vazhdojnë të mbrohen nga enkriptimi fund më fund (end-to-end encryption), njësoj si komunikimet e tjera private në platformë. Kjo do të thotë se përmbajtja e tyre nuk mund të lexohet nga persona të tjerë, përfshirë vetë kompaninë.
Disponueshmëria
Sipas njoftimit të WhatsApp, funksioni i ri është një prej kërkesave të shumta të përdoruesve dhe do të shpërndahet gradualisht në të gjithë botën gjatë javëve në vijim.
Burimi: bordo.al










