Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Nga Saranda në Korfuz me varkë vetëm 30 minuta

Nga Saranda në Korfuz me varkë vetëm 30 minuta
Foto: kultplus.com

Shqipëria mbetet një destinacion i preferuar nga mediat ndërkombëtare të udhëtimit, jo vetëm për bukuritë natyrore dhe potencialin turistik të Rivierës, por edhe për pozicionin e saj gjeografik, që u lejon vizitorëve të eksplorojnë lehtë destinacione në vendet fqinje.

Në një artikull të publikuar nga media amerikane “Travel Off Path”, Shqipëria përfshihet ndër destinacionet që ofrojnë mundësinë për të vizituar dy vende evropiane brenda një kohe shumë të shkurtër.

Konkretisht, udhëtimi me traget nga Saranda drejt ishullit grek të Korfuzit mund të zgjasë vetëm 30 minuta.

Sipas medias, ky itinerar është një mundësi e përshtatshme për turistët që dëshirojnë të përjetojnë dy destinacione dhe kultura të ndryshme gjatë të njëjtit udhëtim, pa pasur nevojë për fluturime apo udhëtime të gjata.

Saranda dhe Riviera Shqiptare

Riviera Shqiptare është aktualisht një nga destinacionet turistike më të kërkuara në Evropë, dhe kjo nuk është e vështirë për t’u kuptuar.

Plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat në ngjyrë bruz, që të kujtojnë destinacionet tropikale, së bashku me çmimet relativisht të përballueshme të hoteleve, e bëjnë këtë zonë një zgjedhje tërheqëse për pushimet verore.

Sipas artikullit, çmimet e disa akomodimeve nisin nga vetëm 40 dollarë për natë.

Saranda është një qytet bregdetar plot gjallëri, me plazhin e saj me guralecë, bare dhe hotele përgjatë vijës bregdetare, si dhe një numër të madh restorantesh që ofrojnë gatime me produkte deti.

Në afërsi të qytetit ndodhen edhe plazhet e njohura të Ksamilit, si dhe rrënojat e rëndësishme greko-romake të Butrintit.

Butrinti përshkruhet si një nga vendet arkeologjike më të veçanta që autorja ka vizituar ndonjëherë.

Me një çmim hyrjeje prej rreth 12 dollarësh, dukshëm më të ulët se ai i shumë siteve të njohura arkeologjike në Greqi apo Itali, vizitorët mund të eksplorojnë teatrin antik pjesërisht të zhytur, rrënojat e tempujve dhe të ngjiten drejt kalasë në majë të kodrës.

Sipas autorit, Vinicius Costa, edhe gjatë sezonit veror zona karakterizohet nga më pak vizitorë dhe më pak radhë pritjeje.

Megjithatë, shumë turistë nuk e kuptojnë se ishulli i gjelbëruar dhe malor që shihet nga dritaret e hoteleve në qendër të Sarandës nuk është pjesë e territorit shqiptar.

Bëhet fjalë për ishullin grek të Korfuzit, i cili në pikën më të afërt ndodhet vetëm disa milje detare larg bregdetit shqiptar.

Udhëtimi nga porti i Sarandës drejt Greqisë zgjat vetëm 30 minuta me traget të shpejtë.

Korfuzi brenda një udhëtimi njëditor

Tragetet mbërrijnë në qytetin e Korfuzit, qendra administrative dhe vendbanimi më i madh i ishullit, i cili është një destinacion tërheqës në vetvete.

Qyteti dallohet për portin me trashëgimi veneciane, ndërtesat shumëngjyrëshe, rrugicat me kalldrëm, kishat me kambanore dhe dy fortifikimet e mëdha që mbizotërojnë mbi qendrën historike.

Vizita në qytetin e vjetër mund të realizohet edhe brenda një udhëtimi njëditor nga Saranda.

Eksplorimi i pikave kryesore kërkon rreth dy orë, ndërsa vizitorët mund ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për të provuar gatimet tradicionale në një nga tavernat pranë detit.

Për ata që zgjedhin të qëndrojnë më gjatë, një alternativë është Palaiokastritsa, në pjesën perëndimore të ishullit, e njohur për plazhet dhe ujërat e kristalta.

Ajo mund të arrihet me autobus nga qyteti i Korfuzit për rreth 50 minuta.

Si të udhëtoni nga Saranda drejt Korfuzit

Udhëtimi nis nga porti i Sarandës, ku mund të rezervohen biletat pranë operatorëve të trageteve.

Çmimi i biletës vajtjeje varion nga 21 deri në 27 dollarë, në varësi të shpejtësisë së tragetit dhe sezonit turistik.

Udhëtarët duhet të kryejnë procedurat e kontrollit kufitar dhe të pasaportave para nisjes, ndaj rekomandohet të paraqiten në port të paktën një orë më herët.

Udhëtimi me traget të shpejtë zgjat rreth 30 minuta, ndërsa me tragetet e zakonshme rreth një orë. Pas mbërritjes në Korfuz kryhen sërish procedurat e kontrollit kufitar.

Përveç itinerarit Sarandë–Korfuz, “Travel Off Path” rekomandon edhe dy alternativa të tjera për udhëtime të shkurtra ndërkufitare në Evropë: nga Trieste, në Itali, drejt Koperit, në Slloveni, si dhe nga Kopenhaga, në Danimarkë, drejt Malmös, në Suedi./atsh/KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha