Manastiri, qyteti që mban në historinë e tij një nga momentet më të rëndësishme të gjuhës shqipe, është sonte skena e një mbrëmjeje artistike që bashkon muzikën, traditën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.
Me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, tri ansamble kombëtare nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do t’i paraqiten publikut me koncertin “Mora udhë kah Manastiri”.
Në këtë mbrëmje do të interpretojnë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Republikës së Shqipërisë dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare nga Maqedonia e Veriut.
Programi dhe mysafirët
Programi do të sjellë këngë dhe valle shqiptare, duke theksuar pasurinë e traditës artistike dhe lidhjet kulturore që i bashkojnë shqiptarët përtej kufijve.
Mbrëmja do të pasurohet edhe me pjesëmarrjen e mysafirëve special: Kastriot Tusha, Bajramali Idrizi, Arif Vladi dhe Saranda Imeri Stafai. Aktori Pajazit Murtishi do të jetë gjithashtu pjesë e programit.
Koncerti mbahet sonte, më 22 nëntor, në Pallatin e Kulturës në Manastir, duke e kthyer qytetin e Kongresit të Alfabetit në një takim të artit dhe kujtesës kulturore shqiptare./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










