Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Trump: Fitorja ndaj Iranit është afër

Trump: Fitorja ndaj Iranit është afër
Foto: ata.gov.al

WASHINGTON, 27 nëntor /ATSH/ – Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se fitorja e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit është e afërt, ndërsa theksoi se Uashingtoni i jep Teheranit mundësi për të arritur një marrëveshje diplomatike dhe për të shmangur humbje të mëtejshme jetësh, sipas CBS News.

Trump i bëri këto deklarata gjatë një bisede telefonike me ushtarakë amerikanë të dislokuar jashtë vendit, me rastin e festës së Falënderimeve.

Thirrje për marrëveshje dhe dyshime për Teheranin

“Fitorja është e arritshme në Iran. Po u japim të gjitha mundësitë për të arritur një marrëveshje dhe për të shpëtuar jetë njerëzish, por nuk jam i sigurt nëse do të përfitojnë nga kjo mundësi”, tha presidenti amerikan.

Ai vuri në dyshim gatishmërinë e udhëheqjes iraniane për të pranuar një marrëveshje.

Prania ushtarake dhe bllokada detare

Sipas raportimeve mbi bisedën, Trump u tha ushtarakëve se fitorja do të arrihet në momentin që ai vetë do të vendosë, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara ruajnë kontrollin mbi kohëzgjatjen e angazhimit të tyre ushtarak. Ai shtoi se prania ushtarake amerikane në rajon do të vazhdojë, ndërsa përsëriti se një nga objektivat kryesore të Uashingtonit është të pengojë Iranin të sigurojë armë bërthamore.

Presidenti vlerësoi gjithashtu rolin e forcave detare në zbatimin e bllokadës detare ndaj Iranit, të cilën e cilësoi si më të suksesshmen në historinë detare. Ai bëri të ditur se SHBA-ja ka shtuar praninë e saj në rajon me dërgimin e një aeroplanmbajtëseje tjetër.

Kontaktet me Izraelin dhe paralajmimi për Natanzin

Në një deklaratë për gazetarët pas bisedave me ushtarakët, Trump konfirmoi se kishte zhvilluar kontakte me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ditët e fundit. Ai paralajmëroi se, në rast të rifillimit të veprimeve ushtarake, SHBA-ja do të godiste Malin e Kamzës, pranë kompleksit bërthamor të Natanzit në Iran.

Presidenti tha se deri tani nuk kishte vërejtur aktivitet të rëndësishëm në këtë objekt, por përsëriti se Uashingtoni nuk do të lejojë që Irani të zotërojë armë bërthamore.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të larta, ndërsa administrata amerikane po përdor presionin ushtarak dhe ekonomik në përpjekjet për të arritur një marrëveshje. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha