TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për themelimin dhe funksionimin e sistemit të numrit të unifikuar për thirrjet emergjente 112. Sistemi do të shërbejë për koordinimin dhe aktivizimin e shërbimeve të emergjencës në të gjithë territorin e vendit.
Roli i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile
Sipas vendimit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të ketë përgjegjësinë për koordinimin, bashkërendimin, drejtimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e sistemit. Agjencia do të administrojë edhe garantimin e funksionimit të numrit 112.
Sistemi synon të sigurojë komunikimin, paralajmërimin e hershëm, njoftimin dhe alarmimin për situatat emergjente. Ai do të koordinojë gjithashtu ndërhyrjen e integruar të strukturave operacionale për përballimin e aksidenteve dhe emergjencave në të gjithë vendin.
Shërbimi dhe gjuhët
Numri 112 do të funksionojë si shërbim i centralizuar dhe i pandërprerë, 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit. Shërbimi do të ofrohet në gjuhën shqipe dhe angleze.
Identifikimi i vendndodhjes dhe komunikimi me tekst
Një prej elementeve të parashikuara është mundësia e identifikimit të vendndodhjes së telefonuesit përmes teknologjisë AML (Advanced Mobile Location). Kjo teknologji mundëson përcaktimin e pozicionit gjeografik të pajisjeve të lëvizshme inteligjente me sisteme Android dhe iOS.
Sistemi do të mundësojë gjithashtu komunikimin përmes SMS-ve dhe formave të tjera të komunikimit me tekst, përfshirë videon, kur kjo është teknikisht e mundur. Këto mundësi synojnë të lehtësojnë aksesin në shërbimin 112 edhe për personat me aftësi të kufizuara në dëgjim ose të folur.
Procedura e thirrjes dhe koordinimi
Pas identifikimit të llojit të emergjencës dhe vendndodhjes së telefonuesit, operatori do të lidhë telefonuesin me shërbimin përkatës të emergjencës. Operatori do të ndjekë vijimësinë e komunikimit deri në vendosjen e kontaktit me organin kompetent.
Në rastet kur situata kërkon ndërhyrjen e disa institucioneve, sistemi do të sigurojë koordinimin e asistencës ndërmjet strukturave shtetërore. Për emergjencat civile dhe rrezikun nga fatkeqësitë, aktivizimi dhe koordinimi i strukturave operacionale do të jetë kompetencë e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Vendimi parashikon që institucionet përgjegjëse për shërbimet kombëtare të emergjencës të vënë në dispozicion personelin e nevojshëm pranë strukturës qendrore të përgjigjes për sigurinë publike (PSAP), e cila do të menaxhojë thirrjet emergjente.
Regjistrimi i thirrjeve
Çdo telefonatë do të regjistrohet dhe ruhet në një bazë të dhënash për referencë. Të dhënat do t’u vihen në dispozicion organeve ligjzbatuese kur kërkohet prej tyre.
Financimi dhe zbatimi
Efektet financiare për ngritjen dhe funksionimin e sistemit do të përballohen nga buxheti i miratuar për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Financimi bëhet në kuadër të iniciativës “Mbështetje për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri”, e financuar nga qeveria italiane.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen institucionet përgjegjëse për mbrojtjen civile, komunikimet elektronike, shëndetësinë dhe punët e brendshme, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, institucionet e shërbimeve kombëtare të emergjencës dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/m.m/r.e/
Burimi: ata.gov.al










