Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar Gjykatës Speciale në Hagë zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimit për ankesë kundër aktgjykimit dhe dënimit të tij me 17 muaj burg për rastin e dytë, deri më 18 janar 2027.
Kërkesa u dorëzua më 25 nëntor 2026 nga avokatja Sophie Menegon, në emër të mbrojtjes së Thaçit, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, gjykatëses Ekaterina Trendafilova.
Aktualisht, afati për dorëzimin e njoftimit për ankesë përfundon më 17 dhjetor 2026. Mbrojtja kërkon 32 ditë shtesë, duke argumentuar se ekzistojnë katër arsye kryesore për këtë shtyrje.
Gjatësia dhe kompleksiteti i aktgjykimit
Arsyeja e parë është gjatësia dhe kompleksiteti i aktgjykimit të shpallur më 17 nëntor, i cili përmban 399 faqe.
Sipas avokatëve, aktgjykimi përfshin çështje të reja, komplekse dhe me rëndësi të veçantë juridike e faktike, të cilat kërkojnë analizë të hollësishme përpara se të formulohen bazat e ankesës. Një pjesë e rëndësishme e tyre lidhet me transkriptet e Prokurorisë Speciale, të cilat përbëjnë provat kryesore mbi të cilat janë mbështetur dënimet.
Mbrojtja thotë gjithashtu se disa nga këto çështje janë trajtuar përmes vendimeve procedurale gjatë procesit gjyqësor, pa qenë objekt i ankesave të veçanta. Një çështje tjetër komplekse është interpretimi dhe zbatimi i ligjit të Kosovës, përfshirë veprat penale, format e përgjegjësisë penale, tentativën sipas nenit 401(2) të Kodit Penal dhe zbatimin e nenit 11 të tij.
Për herë të parë në Dhomat e Specializuara janë ngritur gjithashtu çështje lidhur me mënyrën e ekzekutimit të një dënimi në raport me një dënim tjetër të shqiptuar nga një trup tjetër gjykues, si dhe me llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim kur një person është mbajtur në dy aktakuza të ndryshme. Këto çështje kanë rëndësi për Thaçin për shkak të dënimit të tij në rastin tjetër, të njohur si rasti 06.
Avokatët theksojnë se, ndonëse janë pesë të akuzuar, Thaçi ka qenë në qendër të çështjes dhe aktgjykimi përmban gjetje që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me përgjegjësinë e tij penale. Prandaj, sipas mbrojtjes, duhet të analizohen pothuajse të gjitha gjetjet, përfshirë veprimet dhe qëllimet e të bashkëakuzuarve, pasi çdo gabim mund të ndikojë në një element thelbësor të dënimit.
Procesi i apelit në rastin 06
Arsyeja e dytë lidhet me apelin në rastin tjetër. Më 16 shtator 2026, Thaçi u shpall fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes, dhe u dënua me 25 vjet burgim.
Afati për dorëzimin e njoftimeve të ankesës në këtë rast është 27 nëntori 2026. Nëse nuk ndryshon, parashtresat e detajuara të apelit do të duhej të dorëzoheshin deri më 26 janar 2027. Avokati kryesor, bashkëavokati dhe disa anëtarë të tjerë të ekipit janë të angazhuar në të dyja rastet, ndërsa apeli në rastin 06 është veçanërisht kompleks, pasi lidhet me krime të rënda ndërkombëtare dhe me pretendimin për rolin udhëheqës të Thaçit.
Avokatët argumentojnë se dhënia e kohës së mjaftueshme është e rëndësishme, pasi mundësia për të shtuar baza të reja të ankesës në një fazë të mëvonshme është e kufizuar.
Mungesa e përkthimit në shqip
Një tjetër arsye është fakti se aktgjykimi prej 399 faqesh është dorëzuar vetëm në gjuhën angleze dhe ende nuk është përkthyer në shqip, gjuhë që Thaçi e kupton dhe e flet.
Avokatët vlerësojnë se, për shkak të burimeve të kufizuara të Gjykatës Speciale dhe angazhimit për përkthimin e aktgjykimit prej 2 mijë e 89 faqesh në rastin 06, përkthimi i aktgjykimit aktual nuk pritet të jetë i disponueshëm para përfundimit të afatit për ankesë.
Mbrojtja i referohet nenit 6(3)(c) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nenit 21(4)(e) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe rregullit 159(4), sipas të cilit një kopje e certifikuar e aktgjykimit duhet t’i dorëzohet të akuzuarit në një gjuhë që ai e kupton. Gjithashtu, përmend praktikën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ku janë dhënë shtyrje për shkak të mungesës së përkthimit.
Sipas avokatëve, ndonëse bazat e ankesës përcaktohen kryesisht prej tyre, Thaçi duhet të ketë mundësi të japë kontribut kuptimplotë, gjë që kërkon përkthimin e pjesëve të mëdha të aktgjykimit dhe diskutimin e tyre me të.
Pushimi dimëror gjyqësor
Arsyeja e katërt lidhet me pushimin dimëror të sistemit gjyqësor. Mbrojtja thotë se afati aktual, 17 dhjetori 2026, bie vetëm dy ditë pune para pushimit, i cili zgjat deri më 8 janar 2027. Gjatë kësaj periudhe, ekipi mbrojtës do të ketë më pak anëtarë të stafit në dispozicion.
Në përfundim, mbrojtja i kërkon Panelit të Apelit që afati për dorëzimin e njoftimit për ankesë të zgjatet deri më 18 janar 2027. Avokatët thonë se nuk e kundërshtojnë që e njëjta shtyrje t’u jepet edhe të akuzuarve të tjerë dhe Prokurorisë Speciale, për të ruajtur një kalendar të harmonizuar. Mbrojtja paralajmëron gjithashtu se mund t’i drejtohet Panelit me një kërkesë tjetër për ndryshimin e kufirit të fjalëve për parashtresën e ankesës.
Kërkesa është nënshkruar nga avokatja Sophie Menegon më 25 nëntor 2026 në Paris.
Burimi: www.gazetaexpress.com










