Studioja ligjore e Artan Qerkinit, avokat i kryetarit Përparim Rama, u rekomandua për kontratë 100 mijë eurosh nga Komuna e Prishtinës, pavarësisht se nuk plotësonte kriteret e tenderit. Ankesa që solli anulimin e vendimit përfshiu edhe një marrëveshje të skaduar me avokaten Blinera Osmani, motrën e Vjosa Osmanit.
Intervistimi i kryetarit dhe avokati i tij
Më 30 tetor, Artan Qerkini u paraqit në Prokurorinë Speciale, ku përfaqësoi kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë intervistimit të tij si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Përfaqësuesi ligjor personal i Ramës synonte, rreth një vit më parë, të bëhej edhe avokat i Komunës. Studioja ligjore “Sejdiu & Qerkini”, e bashkëthemeluar prej tij, kishte marrë pjesë në garën për tenderin e shërbimeve të avokaturës dhe ndërmjetësimit, me vlerë të parashikuar prej 100 mijë eurosh.
Në ditën e fundit të vitit 2025, Komuna e Prishtinës, e drejtuar nga klienti i tij aktual, e kishte rekomanduar pikërisht këtë studio për lidhjen e kontratës.
Anulimi i vendimit nga OSHP
Vendimi i Komunës u anulua nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pas ankesës së operatorit ekonomik “Avokatura Istrefi”. Eksperti shqyrtues konstatoi se oferta e studios së rekomanduar nuk i plotësonte kriteret e tenderit.
Një nga shkeljet e pretenduara lidhej me marrëveshjen e angazhimit të avokates Blinera Osmani, motrës së ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Kontrata e skaduar
Kriteret teknike të tenderit kërkonin që operatorët të kishin së paku pesë avokatë të licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, të dëshmuar me marrëveshje angazhimi. Sipas ankesës, studioja “Sejdiu & Qerkini” kishte dorëzuar pesë kontrata, por ajo me Blinera Osmanin kishte skaduar disa vjet para shpalljes së tenderit.
“Kontrata […] është e datës 01 tetor 2021 me kohëzgjatje për 1 vit, e cila përfundon më datën 30 shtator 2022”, thuhej në ankesën e operatorit.
Neni 5 i marrëveshjes përcaktonte se ajo “lidhet për një periudhë 1 vjeçare dhe nuk përtrihet automatikisht”, duke hyrë në fuqi më 1 tetor 2021 dhe duke skaduar më 30 shtator 2022. Sipas “Avokatura Istrefi”, paraqitja e saj nuk e dëshmonte përmbushjen e kriterit në kohën e tenderit.
Raporti i ekspertit dhe vendimi
Në raportin e dorëzuar më 4 shkurt 2026, eksperti shqyrtues konstatoi se oferta e studios së rekomanduar “nuk i përmbush kërkesat kualifikuese”. Meqë oferta e ankuesit ishte eliminuar me të drejtë, nuk kishte asnjë ofertë të përgjegjshme në procedurë.
Paneli i OSHP-së, më 23 shkurt 2026, e aprovoi pjesërisht ankesën dhe anuloi vendimin e Komunës për dhënien e kontratës, duke e detyruar Komunën të informonte brenda dhjetë ditësh për veprimet e ndërmarra.

Komuna e Prishtinës e anuloi tenderin dy ditë më vonë, më 25 shkurt 2026.
Pa kontratë aktive
Që nga viti 2025, kur skadoi kontrata paraprake për shërbimet e avokaturës, Komuna nuk ka kontratë aktive për këto shërbime. Në gusht të këtij viti nisi një procedurë e re prokurimi, por për shkak të ankesave nga operatorët ekonomikë, ajo vazhdon të zvarritet. /paparaci
Burimi: insajderi.org










