Viti 2026 po regjistron shifra rekord në miratimin e lejeve për ndërtime të reja nga pushteti vendor. Shifrat e INSTAT tregojnë se përgjatë 9 muajve bashkitë kanë miratuar në total 1201 leje ndërtimi, ose rreth 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2025, ku u miratuan 899 leje. Pjesa e madhe e lejeve janë dhënë për banim, thotë INSTAT, pjesa tjetër për hotele, ndërtesa tregtare apo industriale.
Sipërfaqja e ndërtimit dhe vlera e investimeve
Për shkak të shtimit të lejeve, është rritur edhe volumi i sipërfaqes ndërtimore me 82 mijë metra katrorë. Në total, sipërfaqja e lejeve të miratuara këtë vit ka kaluar 1 milion metra katrorë, ndërkohë që vlera e përafërt e këtyre ndërtesave llogaritet në 60.5 miliardë lekë.
Por këto shifra nuk tregojnë numrin real të ndërtimeve që po bëhen ose që pritet të nisin. INSTAT vijon të nënvizojë se të dhënat mbështeten vetëm tek lejet e dhëna nga bashkitë, sepse ende nuk ka një raportim të plotë nga institucionet e tjera që japin leje, si Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili aprovon lejet për kullat apo resortet e mëdha.
Ndikimi në ekonomi dhe në të ardhurat e bashkive
Ndërtimi është kthyer në një nga sektorët kryesorë që ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit, paralelisht me tregun e pasurive të paluajtshme dhe turizmin.
Shtimi i kantiereve ka sjellë ndikim pozitiv në të ardhurat e pushtetit vendor, të cilat janë rritur ndjeshëm gjatë këtij viti. Kontributi kryesor vjen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Lejet e ndërtimit nga bashkitë
Janar–Shtator 2025: 899 leje, 964,129 m²
Janar–Shtator 2026: 1.201 leje, 1,046,986 m²
Diferenca: +302 leje, +82,857 m²
Burimi: shqiptarja.com










