Ulja e TVSH-së për ushqimet dhe kritika e FMN-së
FMN vlerëson se politikat fiskale duhet të orientohen më shumë drejt familjeve në nevojë, pasi ulja e TVSH-së nuk garanton uljen e çmimeve dhe favorizon më shumë familjet me të ardhura të larta. Gjithashtu, propozon reformim të skemës së pensioneve, duke rekomanduar rritjen dhe barazimin e moshës së daljes në pension në 67 vjeç, në përputhje me rritjen e jetëgjatësisë.
Afro 40% e buxhetit të familjeve shqiptare shkon për ushqime. Kjo barrë synohet të ulet në vitin e ardhshëm, për shkak të uljes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore, ku përfshihen nga buka, te bulmeti e mishi.
Por kjo ulje e përgjithshme kritikohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar me argumentin se duhet të ishte me fokus tek ata më në nevojë, pasi nga nisma do të përfitojnë më shumë ata që kanë të ardhura më të larta.
“Familjet me të ardhura më të larta shpenzojnë më shumë për ushqime në terma absolutë dhe, për rrjedhojë, përfitojnë më shumë në vlerë monetare nga kjo masë. Mbështetja për familjet në nevojë mund të ofrohet në mënyrë më efektive përmes ndihmës sociale të targetuar, e cila mundëson orientimin e burimeve të kufizuara fiskale drejt atyre që kanë më shumë nevojë”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga FMN.
FMN, në një përgjigje zyrtare për Report TV, ngre shqetësimin se një politikë me norma të reduktuara tatimore krijon hapësira për deformime të çmimeve dhe nuk është e garantuar që kjo ulje reflektohet edhe në çmime më të lira.
“Normat e reduktuara të TVSH-së krijojnë gjithashtu shtrembërime në sinjalet e çmimeve, duke favorizuar disa produkte kundrejt të tjerave. Për më tepër, një pjesë e përfitimit nga ulja e tatimit mund t’u mbetet prodhuesve ose tregtarëve, në vend që të reflektohet plotësisht në çmimet për konsumatorët”, vijon shefi i FMN.
Pragu i regjistrimit në TVSH dhe rreziku i informalitetit
Sa i takon uljes së pragut të regjistrimit në TVSH për bizneset, nga xhiro mbi 10 milionë lekë në xhiro mbi 5 milionë lekë, FMN thotë se ishte lëvizje e duhur, por thekson se duhet forcim i kontrolleve tatimore për të mos lejuar deklarim të rremë të xhiros nga subjektet që do të preken.
“Ulja e pragut të regjistrimit për TVSH-në zgjeron bazën tatimore dhe zvogëlon dallimet në trajtimin tatimor ndërmjet bizneseve të madhësive të ndryshme. Ky ndryshim duhet të shoqërohet me forcimin e administrimit tatimor. Kjo do të ndihmojë në kufizimin e informalitetit, përfshirë stimujt për të nëndeklaruar xhiron ose për të fragmentuar aktivitetin ekonomik me qëllim qëndrimin nën pragun e regjistrimit”, vijon më tej FMN.
Reforma e skemës së pensioneve
Kritika e FMN-së përfshin edhe dhënien e bonuseve mujore për pensionistët, pasi thekson se nuk janë zgjidhje për deficitin e skemës dhe dobësojnë lidhjen midis kontributit dhe përfitimit.
Sipas këtij institucioni, skema aktuale e pensioneve, që ka kaluar një dekadë në fuqi, duhet të reformohet. Ai rekomandon barazimin e moshës së daljes në pension mes burrave dhe grave në 67 vjeç, si dhe rritjen e moshës për të përfituar pension, e cila sipas FMN-së duhet të lidhet me jetëgjatësinë.
Burimi: shqiptarja.com










