Shqipëria përgatitet për të kremtuar 114-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa në Tiranë është paralajmëruar një protestë kombëtare kundër qeverisë. Grupimet organizatore nuk janë ende dakord për orarin e nisjes dhe kohëzgjatjen e tubimit.
Thirrjet për protestë
Përfaqësues të “Revolucionit Flamingo” kanë njoftuar grumbullimin e protestuesve në orën 10:00 në sheshin “Skënderbej”, nga ku do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Sipas tyre, protesta pritet të zgjatet dy ditë, më 28 dhe 29 nëntor, dhe nuk përjashtohet vazhdimi i saj gjatë natës.
Grupime që thonë se përfaqësojnë studentët kanë bërë thirrje për mobilizim në orën 12:00, por parashikojnë protestën vetëm për datën 28 nëntor.
Qeveria dhe opozita
Kryeministri Edi Rama do të jetë në Vlorë, ku, si në vitet e fundit, do të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar në orën 10:00.
Opozita ka shprehur mbështetjen e saj për protestën kombëtare, por deri tani nuk ka publikuar një program zyrtar për festat e Nëntorit. Tradicionalisht, opozita i kremton Pavarësinë dhe Çlirimin më 28 nëntor.
Burimi: kohajone.com










