Pas paraqitjes së shkëlqyer ndaj Venezias, Edon Zhegrova rikthehet në qendër të vëmendjes te Juventusi.
Në një intervistë për “TuttoJuve.com”, Vedat Bajrami, mik i anësorit kosovar, ka kërkuar që Zhegrova të ketë më shumë hapësirë në formacionin titullar, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë për ta arritur potencialin e tij të plotë.
Një prapaskenë me Cesc Fabregasin
Bajrami zbuloi gjithashtu një prapaskenë që lidhet me Cesc Fabregasin, i cili thuhet se personalisht kishte shprehur vlerësimin e tij për cilësitë e Zhegrovës.
“Shpresoj ta shoh Edonin në formacionin titullar ndaj Comos, në atë që do të jetë një ndeshje e madhe. Kam shumë respekt për stilin e tyre të lojës dhe energjinë që trajneri Fàbregas, një legjendë e vërtetë e futbollit, e ka sjellë në klub. Por dua t’ju zbuloj një sekret. Edoni ka një marrëdhënie shumë të mirë me Fàbregasin, me trajnerin që ka një respekt të veçantë për të dhe e vlerëson jashtëzakonisht shumë talentin e tij. Madje, këtë ia ka thënë edhe personalisht. Prandaj, pres një ndeshje fantastike mes dy skuadrave shumë të forta”, tha Bajrami për “TuttoJuve”.
Spekulimet për të ardhmen
Sa i përket të ardhmes së futbollistit, ai ka minimizuar zërat e fundit për një transferim të mundshëm, duke ritheksuar rëndësinë që Zhegrova të gjejë hapësirën e nevojshme për të luajtur dhe të krijojë vazhdimësi me fanellën bardhezi.
“Unë i përcjell të gjitha lajmet që vijnë si nga Italia, ashtu edhe nga Kosova. Mediat sportive dhe portalet online shpesh tentojnë të krijojnë histori ose të përhapin informacione bazuar në opinionet e tyre personale. Megjithatë, në shumicën e rasteve, këto lajme nuk janë të sakta, pasi burojnë thjesht nga thashethemet që qarkullojnë në qarqet sportive dhe shoqërore”, shtoi ai tutje.
“Gjëja më e rëndësishme është që, gjatë kohës së tij te Juventusi, Edoni të japë gjithmonë maksimumin për klubin, për bashkëlojtarët e tij dhe për të gjithë tifozët e Juventusit në mbarë botën. Në këtë mënyrë, edhe nëse një ditë vendos të nisë një aventurë të re profesionale, ai do ta dijë gjithmonë se te Juventusi e ka një shtëpi dhe se e ka fituar një vend në zemrat e tifozëve të tij”, e mbylli Bajrami.
Performanca e Zhegrovës këtë sezon
Zhegrova luajti 90 minutat e plota ndaj Venezias, për herë të parë në fanellën e Juventusit, derisa kontribuoi me asistim në fitoren prej 4-0.
Deri më tani këtë sezon, ylli kosovar ka shënuar dy gola e ka dhuruar tri asistime, të gjitha në Serie A./GazetaExpress/
Burimi: www.gazetaexpress.com










