Një deklaratë e Jennifer Lopez mbi vështirësitë që ka hasur gjatë karrierës së saj në Hollywood ka shkaktuar debat të gjerë në rrjetet sociale, ku shumë komentues kanë vënë në pikëpyetje pretendimet e artistes.
Deklaratat për intervistën
Në një intervistë për “The New York Times”, këngëtarja dhe aktorja me origjinë portorikane foli hapur për pengesat me të cilat është përballur në fillimet e saj profesionale. Sipas Lopez, prejardhja latine dhe fakti që nuk i përkiste profilit tradicional të aktores së bardhë kanë ndikuar në mundësitë që i janë ofruar në industrinë e filmit.
“Arsyeja, mendoj, është se thjesht nuk isha aktorja e zakonshme e bardhë”, u shpreh ajo.
Ylli 57-vjeçar pranoi se Hollywood-i ka ndryshuar ndër vite sa i përket përfaqësimit dhe diversitetit, por theksoi se barriera të tilla nuk janë zhdukur plotësisht. Ajo tregoi se shpesh nuk ka pritur që mundësitë t’i vijnë nga të tjerët, por ka marrë vetë iniciativën për të krijuar projekte dhe për të ndërtuar rrugën e saj.
Reagimet në rrjetet sociale
Megjithatë, këto deklarata kanë shkaktuar reagime të shumta, kryesisht kritike. Disa përdorues të rrjeteve sociale argumentojnë se karriera e gjatë dhe suksesi i Lopez në kinematografi nuk përputhen me mënyrën se si ajo e përshkruan mungesën e mundësive.
Mes reagimeve spikati ai i komentatores së Fox News, Tomi Lahren, e cila iu përgjigj deklaratës me një koment ironik në platformën X: “Hahaha, po, sigurisht”.
Edhe Oli London iu kundërpërgjigj artistes, duke përmendur se ajo ka interpretuar në 44 filma dhe se pasuria e saj vlerësohet në rreth 400 milionë dollarë. Ndërkohë, aktorja Adrianne Curry-Rhode përdori tone edhe më të ashpra, duke i cilësuar fjalët e saj si një “mashtrim në një nivel tjetër”.
Në debat u përfshi edhe kritiku i filmit Christian Toto, i cili në një reagim për “Fox News Digital” vuri në dukje se Lopez ka pasur një prani të vazhdueshme në industrinë e argëtimit për më shumë se dy dekada.
“Sa aktorë të papunë do të jepnin gjithçka për të siguruar qoftë edhe një pjesë të vogël të roleve që Hollywood-i i ka ofruar asaj?”, deklaroi ai.
Karriera e Jennifer Lopez
Jennifer Lopez u bë e njohur në mbarë botën me interpretimin e këngëtares Selena Quintanilla në filmin biografik “Selena”, në vitin 1997. Pas këtij suksesi, ajo ndërtoi një karrierë të rëndësishme në ekranin e madh, duke u bërë pjesë e filmave si “The Wedding Planner”, “Maid in Manhattan”, “Hustlers” dhe “Marry Me”.
Paralelisht me aktrimin, Lopez ka ruajtur edhe një karrierë të fuqishme muzikore, duke u shndërruar në një prej emrave më të njohur të industrisë së argëtimit.
Burimi: bordo.al









