Nën tingujt e Himnit Kombëtar nisi konferenca shkencore e zhvilluar në Akademinë e Shkencave në Tiranë, me temë “Mbi antifashizmin e popullit shqiptar, një vlerë kombëtare dhe një trashëgimi historike që duhet mbrojtur”.
Studiuesit ringjallin kujtesën e Luftës Antifashiste
Studiues, historianë dhe përfaqësues të shoqatave të veteranëve u bënë bashkë për të rikthyer në vëmendje një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë shqiptare, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Antifashizmi si vlerë kombëtare
Avokati Idajet Beqiri, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës, vuri theksin te antifashizmi si vlerë kombëtare, e lidhur ngushtë me lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.
“Antifashizmi është një vlerë kombëtare e popullit shqiptar, një pjesë e rëndësishme e identitetit të tij historik dhe e ndërgjegjes së tij për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin kombëtar. Historia na mëson se liria dhe pavarësia nuk mund të sigurohen duke u mbështetur te pushtuesi. Ato fitohen me qëndresë, me sakrifica dhe me vullnetin e një populli për të qenë zot i fateve të veta.”
Rreziku i humbjes së kujtesës historike
Një tjetër çështje e ngritur gjatë konferencës ishte rreziku i humbjes së kujtesës historike dhe përgjegjësia e institucioneve për ruajtjen e saj.
Ndër të tjera, avokat Beqiri përcolli edhe një mesazh për brezat e sotëm, duke theksuar se antifashizmi mbetet një vlerë që duhet mbrojtur dhe trashëguar, veçanërisht në një kohë kur shoqëritë përballen me ekstremizmin, intolerancën dhe gjuhën e urrejtjes.
Konferenca solli në vëmendje rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, dokumentimit të dëshmive dhe përcjelljes së vlerave antifashiste te brezat e rinj, si pjesë e trashëgimisë kombëtare shqiptare.
Burimi: abcnews.al










