Sipas mediave italiane, përpara se të vriste veten, Gianni De Gennaro la si dëshmi një hard disk me dokumente dhe prova, me synimin që policia ta zbulojë dhe ta marrë si provë. Ai la gjithashtu një letër ku thekson se gjithmonë ka qenë një shërbyes shteti që ka punuar me përkushtim maksimal.
Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik italian prej disa ditësh. Ajo përfshin një nga figurat më të rëndësishme dhe ikonike të shtetit italian.
Kush ishte Gianni De Gennaro
Gianni De Gennaro, njeriu që themeloi policinë gjyqësore antimafia dhe një nga protagonistët e parë të luftës ndaj krimit të organizuar, ka qenë drejtues i policisë, i shërbimeve sekrete dhe i institucioneve të ndryshme në vend. Ai i dha fund jetës duke vrarë veten pak ditë më parë, në moshën 76 vjeçare.
Vetëvrasja ndodhi pasi një prokuror i qytetit Caltanissetta, në Sicili, kishte filluar një hetim ndaj tij. Prokurori e akuzonte për prishje të hetimeve për vrasjen e prokurorit Paolo Borsellino në vitin 1992 nga Cosa Nostra.
Prokurori kërkoi edhe arrestin në shtëpi të ish-kryepolicit, por një gjyqtare e refuzoi kërkesën.
Versionet e hetimit dhe mungesa e fakteve
Dosja u shoqërua me versione të ndryshme. Sipas njërit prej tyre, një i penduar i mafias kishte informacione se De Gennaro dekonspiroi dhe prishi hetimet, duke iu referuar të ashtuquajturit “blloku i kuq”. Ky ishte një fabul e njohur, sipas së cilës Borsellino kishte shënuar se kush qëndronte pas vrasjes së prokurorit Giovanni Falcone, nga radhët e politikës italiane.
Edhe pas 37 vjetësh, nuk ka dalë asnjë fakt mbi këtë pistë, pavarësisht shumë hetimeve dhe personave të hetuar e të arrestuar.
Reagimet dhe trashëgimia
Ngjarja konsiderohet një goditje e madhe për institucionet dhe publikun, dhe nga pothuajse të gjitha palët janë shprehur mesazhe të forta.
Luciano Violante, ish-prokuror dhe ish-deputet, njeriu që hartoi ligje të mëdha antimafia si neni 41-bis dhe ai mbi të penduarit, shfaqi në televizion dhimbje të madhe. Ai e kritikoi prokurorin për përdorimin e mediave për të linçuar një ikonë të shtetit.
Violante tha se De Gennaro ishte njeriu më i afërt dhe më i besuari i Falcone-s në luftën ndaj Cosa Nostra-s. Ishte ai që priti në aeroportin e Fiumicinos të penduarin e madh Tommaso Buscetta, i cili zbuloi strukturën e mafias siciliane.
De Gennaro themeloi një nga policitë gjyqësore më të njohura në botë, Direzione Investigativa Antimafia (DIA), e cila ka rezultate të shumta në 30 vjet luftë ndaj krimit të organizuar. Në bashkëpunim me FBI-në dhe prokurorin Rudy Giuliani, ai ndihmoi në thërrmimin e pesë familjeve të Cosa Nostra-s në Shtetet e Bashkuara.
Më vonë ai drejtoi Policinë e Shtetit, Dipartimentin e Informacionit për Sigurinë (DIS), që përfaqëson agjencinë e shërbimeve sekrete, dhe kompaninë e prodhimit ushtarak e detar Leonardo, si dhe institucione të tjera. Ai kishte dalë në pension dhe jetonte në jetë private. Vëllai i tij, Andrea, është gjeneral dhe drejtues i Guardia di Finanza.
Mësimi për Shqipërinë
Ngjarja ka edhe një reflektim për Shqipërinë, e cila ka zgjedhur modelin italian të prokurorit të fuqishëm për të hapur dosje. Ky model erdhi me reformën në drejtësi, e cila hoqi fuqinë e Prokurorit të Përgjithshëm për të drejtuar dhe mbikëqyrur hetimet.
Profesor Fehmi Abdiu, një nga juristët më të njohur të vendit, në një intervistë për TemA vite më parë, shprehu dyshim ndaj lirisë së tepruar të prokurorëve për të hetuar pa koordinim të Prokurorisë së Përgjithshme. Ai mbështet sistemin francez të organit të akuzës, i cili nuk është aq i decentralizuar sa ai italian dhe ai shqiptar.
Ngjarjet e fundit në Shqipëri me prokuroritë, sidomos me SPAK, i japin të drejtë tezës së profesor Abdiut. Në Itali, debati nuk është vetëm për hetimin, por për linçimin publik me materiale të rrjedhura nga dosja, i cili vazhdon edhe pas vdekjes, për arsye politike dhe elektorale. Pikërisht si ka ndodhur edhe në Shqipëri me hetimet e rëndësishme të SPAK.
Burimi: shqiptarja.com










