Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Ish-kancelari nën hetim për korrupsion në monopolin e IT-së

Ish-kancelari nën hetim për korrupsion në monopolin e IT-së
Foto: reporteri.al

Zgjidhja e qeverisë dhe rreziqet për prokurimin digjital

Pas skandalit korruptiv të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, që çoi nën masë sigurie ish-drejtuesen Mirlinda Karçanaj dhe një numër të madh biznesmenësh, zgjidhja e gjetur nga qeveria për të “reformuar” prokurimet e teknologjisë së informacionit ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje.

Kalimi i kompetencave për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale, përfshirë ato me karakter sekret shtetëror, te një Shoqëri Aksionere, ku deri në 49% e aksioneve mund t’i kalojnë privatit, është hapi i parë drejt krijimit të një monopoli të fuqishëm, këtë herë të mbrojtur ligjërisht.

Por kush do të jetë partneri privat që po përgatitet të ulet në tryezën e vendimmarrjes për infrastrukturën më kritike të shtetit shqiptar?

Krijuesi i “Pegasus”-it, lista e zezë e SHBA-së dhe ortakëria me Kurz-in

Në rrethet e ngushta të Tiranës, prej javësh qarkullojnë emrat e dy personave të njohur ndërkombëtarisht, por edhe të ngarkuar me skandale, të cilët sipas informacioneve Edi Rama i ka piketuar për t’i dhënë çelësat e infrastrukturës kritike të vendit. Ata janë ish-kancelari austriak Sebastian Kurz dhe izraelitiani Shalev Hulio.

Për publikun ndërkombëtar, Shalev Hulio është një emër që ndez menjëherë alarmin e sigurisë. Ai është bashkëthemeluesi dhe ish-drejtuesi i NSO Group, kompanisë izraelite që krijoi softuerin famëkeq të përgjimit Pegasus, program që u përdor gjerësisht për të infiltruar telefonat dhe për të regjistruar në fshehtësi mijëra njerëz, gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe politikanë në mbarë botën.

Për shkak të këtyre skandaleve dhe kërcënimit që paraqiste ndaj sigurisë kombëtare, qeveria amerikane e futi kompaninë e tij në listën e zezë (blacklist).

Pas largimit nga NSO nën peshën e skandaleve, Hulio nuk u tërhoq nga tregu i sigurisë, por themeloi kompaninë e re Dream Security, duke marrë si ortak kryesor pikërisht ish-kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz.

Ky i fundit u detyrua të largohej me turp nga politika austriake pasi u vu nën hetim për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve publike, një dosje e hapur nga prokuroria e Vjenës mbi dyshimet se Kurz përdori paratë e taksapaguesve për të paguar sondazhe të manipuluara dhe artikuj të favorshëm në media.

Sot, kjo dyshe drejton Dream Security, një kompani që shet sisteme sigurie kibernetike të bazuara në inteligjencën artificiale dhe që ka një objektiv të qartë: kontrata ekskluzive me qeveritë për administrimin e të dhënave kombëtare.

Intrigat shqiptare

Ndonëse në regjistrat publikë shqiptarë nuk figuron ende asnjë gjurmë zyrtare e kësaj kompanie, këta dy personazhe rezultojnë të lidhur fort me rrethin e pushtetit në Tiranë. Sebastian Kurz është shumë i afërt me Edi Ramën dhe ka qenë shpesh i ftuar në takime private me të, nga vilat qeveritare të Dhërmiut deri te rezidencat e Tiranës.

Shqipëria nuk është e panjohur as për Shalev Hulion. Në dosjet hetimore të AKSHI-t dhe SHISH-it, SPAK ka zbardhur komunikime mes Ergys Agasit dhe një kontakti të regjistruar në telefonin e tij si “Shalev Israel”.

Ky detaj tregon se urat e komunikimit mes personazheve të botës izraelite të inteligjencës dhe sektorit të IT-së në Shqipëri kanë ekzistuar, dhe se ky nuk është një interes i rastësishëm.

Errësira e re ligjore

Me skemën e vjetër të tenderave të AKSHI-t tashmë të ekspozuar dhe të bllokuar nga hetimet e SPAK-ut, arkitektura e re ligjore duket e ndërtuar enkas për t’u hapur rrugën këtyre aktorëve dhe për të betonuar një monopol të ri.

Kalimi i kompetencave te modeli i Shoqërive Aksionere (Sh.A.), ku partneri privat, duke marrë deri në 49% të aksioneve, shmang procedurat klasike të prokurimit dhe fiton akses të drejtpërdrejtë në sistemet shtetërore, po plotësohet me një goditje tjetër ndaj transparencës.

Së fundmi, përmes një projektligji me vetëm dy nene të depozituar në Kuvend nga deputetja socialiste Briseida Çakërri për ndryshimin e ligjit për Qeverisjen Elektronike, synohet që ligji i prokurimit publik të përjashtohet plotësisht për blerjen e softuerëve, licencave dhe mirëmbajtjes së sistemeve.

Nën petkun e “urgjencës” dhe “sigurisë kibernetike”, kjo nismë u jep dorë të lirë operatorëve të TIK-ut të bëjnë prokurime direkte dhe pagesa me miliona euro pa garë.

Kur kësaj i shtohen edhe klauzolat e rrepta të konfidencialitetit që mbulojnë sistemet kritike, sekreti shtetëror kthehet në mburojë të përsosur, duke e lënë publikun në errësirë të plotë mbi faktin se sa para po paguhen dhe kush kontrollon realisht serverat dhe të dhënat e qytetarëve shqiptarë.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha