Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Shqipëria dhe Mali i Zi modeli për anëtarësim; Kosova: Greqia do drejtojë mbylljen e negociatave

Shqipëria dhe Mali i Zi modeli për anëtarësim; Kosova: Greqia do drejtojë mbylljen e negociatave
Foto: abcnews.al

BE i lë Greqisë firmën e mbylljes së negociatave të Shqipërisë në 2027

Në Athinë, Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos, takoi ministrat europianë të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” së bashku me kryediplomatët e vendeve kandidate.

Apeli i Komisionerit për Greqinë

Marta Kos i bëri apel Greqisë të punojë fort për të çuar përpara zgjerimin e BE, pasi me ironi të fatit, Athina do të ketë Presidencën e BE në fund të 2027, kur Shqipëria duhet të mbyllë negociatat dhe Mali i Zi të marrë traktatin e anëtarësimit.

“Jam shumë e lumtur që po takohemi këtu në Athinë, Greqi, dhe shpresoj që Presidenca e Greqisë në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm të punojë fort pa u lodhur për procesin e zgjerimit”, u shpreh Kos.

Mesazhi i qartë për Athinën

Greqia, e cila më parë ka arritur të bllokojë Shqipërinë në negociatat me BE, këtë herë mori një mesazh shumë të qartë. Komisionerja për Zgjerimin deklaroi se tani nuk ka më “JO”, sepse BE thotë “PO”.

“Kemi shanse të mira për të arritur rezultate me negociatat, pasi zgjerimi është përsëri prioriteti kryesor i gjithë BE-së. Po jetojmë në kohëra sfiduese gjeopolitike dhe është koha që ne të arrijmë rezultate. Ndaj kemi publikuar komunikatën e gatishmërisë së BE për zgjerimin, dhe përgjigja është PO, BE është gati për zgjerimin e ri. Shpresoj që BE të jetë më e fortë”, tha ajo.

Shqipëria dhe Mali i Zi si shembull

Duke folur për Shqipërinë, Kos tha se Tirana bashkë me Podgoricën janë shembulli inkurajues edhe për kandidatët e tjerë drejt BE-së.

“Pas 23 vitesh, nga Selaniku, po arrijmë rezultate. Kemi në grupin e katër pretendentëve dy nga Ballkani Perëndimor, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Shpresoj që këto do të inkurajojnë edhe të tjerët për të arritur rezultate gjithashtu”, shtoi Kos.

Takimi Hoxha–Gerapetritis

Në margjinat e takimit në Athinë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, takoi homologun grek, Giorgos Gerapetritis, sipas të cilit mori mbështetjen e Athinës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

abcnews.al

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha