Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

Gaz Demi kritikon ligjin e sponsorizimit: Ministri s’ka lidhje me sportin

Gaz Demi kritikon ligjin e sponsorizimit: Ministri s’ka lidhje me sportin
Foto: telesport.al

Projektligji i votuar në komisione për „sponsorizim dhe donacion” nuk i ka lumturuar klubet në Shqipëri. Në një intervistë për Report TV, presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, thotë se ligji është plot burokraci, me tavanin e vendosur, ku vlera totale në një vit nuk mund të kalojë 3 miliardë lekët e rinj, por edhe me mënyrën se si do të ndahet.

„Është një ligj i gjysmuar. Po thonë se do jepen 30%, por nuk jep as 30 as asgjë, sepse ke vendosur tavan. Si biznesit, si dhe sa do merren. Kush do marrë më përpara, arti, kultura apo sporti? Do katandiset „kokoshi një thelë”. Do marrë kombëtarja pak më shumë, ndërsa ne do jemi prapë… Domethënë do tallen me ne”, tha fillimisht presidenti i Partizanit, Gazmend Demi.

Tavani dhe ndarja e fondeve

Në ligjin e ri të sponsorizimeve, bizneset do të kenë mundësi të financojnë sportin deri në 30% të tatimit mbi fitimin, duke e zbritur këtë shumë nga detyrimet ndaj shtetit.

„Ta ndajnë. Le ta bëjnë 10% dhe 10 sportin, por të jetë e lirë dhe të kontrollohet”, tha Demi. Për bizneset që do të sponsorizojnë, do të ketë një sërë kufizimesh, ndërsa nuk do të lejohen kompanitë e basteve, kur ato të bëhen të ligjshme.

„Dje pashë futbollin në Itali. Këtu te ne nuk do lejohet të sponsorizojmë kompanitë e basteve, pavarësisht se për momentin nuk ka. Po si orë e gjithë bota i lejon, ndërsa ne jo? A jemi ne më mirë se gjithë bota?”, u shpreh Gaz Demi.

Pakënaqësinë për ligjin e ri të sponsorizimeve e shprehu edhe Federata Shqiptare e Futbollit, që kërkoi të paktën një tavan prej 10 miliardë lekësh, ose 111 milionë euro.

„Nëqoftëse do bëhet 100 milionë, por qoftë edhe 50 milionë. Unë e jap me garanci: nëse do jepen 50 milionë nga shteti, gjysma do rikthehet prapë përmes taksave në shtet. 25 do shkojnë në fund. Pse? Do paguhen sigurime shoqërore më shumë. Do formalizohen të gjithë, se sot s’jemi 100%, por kjo nesër do të ndodhë”, deklaroi presidenti i Partizanit.

Sipas ligjit, një biznesi të vetëm nuk do t’i lejohet të japë për donacione e sponsorizime në sport, art e kulturë më shumë se 30 milionë lekë të rinj në vit, ose afërsisht 330 mijë euro.

Kritika ndaj ministrisë

Në intervistën për Report TV, Gazmend Demi thotë se në ligjin e sponsorizimeve duhet të përcaktohet qartë ndarja e parave që do të shkojnë te sporti. Sipas tij, në ministrinë përkatëse, sporti nuk është parësor, dhe ministri Blendi Gonxhja ka më shumë përparësi për artin dhe kulturën.

„Ky ministër është djalë shumë i mirë, unë kam vite që e njoh, por s’ka lidhje me sportin. Ai mund të jetë i lidhur me artin dhe kulturën. Sipas dëshirës, ai atje do t’i dërgojë. Do bëhet një mish-mash, sa ne do fillojmë të zihemi me njëri-tjetrin. Që të bëhet sa më mirë, kryeministri ta shohë me ekspertët e vetë. Ministri ynë nuk di akoma se çfarë është duke u bërë për sportin. S’ka ardhur njëherë në kantierin e Partizanit. Ka ardhur kryeministri Rama dhe ka mbetur i mrekulluar. Le ta bëjmë siç duhet ligjin.”

Burimi: telesport.al

Të fundit Të gjitha