Aktori i njohur turk Hakan Meriçliler u bashkua me kastin e serialit të shumëpritur “Eşref Tek”, një nga prodhimet që pritet të tërheqë vëmendjen e publikut.
Seriali, i realizuar nga TimsBi dhe me protagonistë Çağatay Ulusoy në rolin e Eşref Tek dhe Aybüke Pusat në rolin e Derin, do t’i nisë xhirimet me skenat që zhvillohen në Qipro. Ekipi ka udhëtuar drejt ishullit, ku do të realizohen edhe skenat e para, të cilat pritet të zbulojnë më shumë nga e kaluara e personazhit kryesor, këtë herë përmes këndvështrimit të Derin.
Personazhi i Meriçlilerit
Ndërkohë, një emër i ri i shtohet kastit të aktorëve. Hakan Meriçliler ka firmosur për t’u bërë pjesë e këtij projekti, ku do të interpretojë personazhin e “Beyoğlu İshak”.

Në serial, aktori do të shfaqet si një personazh që në pamje të parë gëzon respektin e të tjerëve dhe paraqitet si një biznesmen i nderuar, por që në të vërtetë është një figurë e rëndësishme në botën e lojërave të fatit. Ai përshkruhet si një pronar kazinoje, i cili dallohet për sjelljen e tij elegante dhe të kulturuar.
Detajet e prodhimit
“Eşref Tek” do të përbëhet nga tetë episode dhe pritet të publikohet në platformën Prime Video gjatë muajit dhjetor. Skenari mban firmën e Ethem Özışık, Lokman Maral dhe Ozan Ağaç.
Burimi: bordo.al










