Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Buxheti i Policisë së Shtetit rritet në 30.3 miliardë lekë

Buxheti i Policisë së Shtetit rritet në 30.3 miliardë lekë
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, prezantoi sot në Komisionin e Sigurisë projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashikohet në rreth 30.3 miliardë lekë. Gjatë fjalës së tij, Hita bëri të ditur se një nga prioritetet kryesore është rritja e pagave të punonjësve të Policisë, përmirësimi i infrastrukturës dhe modernizimi i kapaciteteve operacionale.

Sipas tij, projektbuxheti përfshin edhe rritjen e pagave të punonjësve të policisë me 16%, ndërsa shpenzimet për personelin zënë pjesën më të madhe të buxhetit.

Rritja e pagave dhe struktura e buxhetit

“Për vitin 2027, projektbuxheti i Policisë së Shtetit parashikohet në masën rreth 30.3 miliardë lekë, dhe duke marrë në konsideratë shtesën që parashikohet për rritjen e pagave të policisë, e cila është 16%.

“Nëpërmjet kësaj rritjeje, përfitojnë: Punonjësit e Policisë së Shtetit me gradën “Inspektor”, numri i të cilëve është 8 174 ose 73% të punonjësve me grada në total, që përfitojnë një rritje të pagës për gradë, 20 mijë lekë. Duke përfshirë rritjen e pagës për gradë dhe efektin e pagës për vjetërsi shërbimi, rritja mesatare është rreth 27%; Punonjësit e tjerë me grada përfitojnë një rritje të pagës për grade, 15 mijë lekë. Duke përfshirë edhe efektin e pagës për vjetërsi shërbimi, rritja mesatare varion nga 8% deri në 17%”, tha ai.

Në projektbuxhetin e vitit 2027 janë parashikuar gjithashtu 5.6 miliardë lekë për shpenzime operative, 2.5 miliardë lekë për investime me financim të brendshëm dhe 2 miliardë lekë për investime me financim të huaj.

Infrastruktura dhe logjistika

Një nga investimet kryesore infrastrukturore është ndërtimi i objektit multifunksional të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për të cilin janë parashikuar 279 milionë lekë.

“Një rëndësi të veçantë merr nisja e investimit për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, e cila do të mundësojë krijimin e një infrastrukture të re dhe bashkëkohore për një nga strukturat me ngarkesën më të lartë operacionale në vend”, deklaroi Hita.

Projekti parashikon ndërtimin e një objekti me sipërfaqe ndërtimore prej 10 200 metrash katrorë, i cili do të akomodojë administratën dhe personelin e drejtorisë.

Në fushën e logjistikës dhe kapaciteteve operacionale, Policia e Shtetit parashikon 175 milionë lekë për blerjen e mjeteve të transportit dhe 60 milionë lekë për automjete speciale. Gjithashtu, sipas Hitës, 128 milionë lekë janë planifikuar për blerjen e armatimeve të ndryshme për përdorim policor.

Teknologjia dhe projekti Smart City

Një tjetër zë i rëndësishëm i investimeve lidhet me pajisjet speciale dhe teknologjinë.

Sipas Hitës, për pajisjet e Teknologjisë së Informacionit janë parashikuar 314.3 milionë lekë, ku përfshihet edhe sistemi i menaxhimit të informacionit të burimeve të Policisë së Shtetit (PRIMS), me një financim prej 161.4 milionë lekësh.

Hita u ndal edhe te projekti Smart City, të cilin e cilësoi si një nga projektet strategjike për transformimin teknologjik të Policisë së Shtetit.

“Për vitin 2027 parashikohet financim rreth 2 miliardë lekë për këtë projekt, si dhe rreth 1 miliard lekë për TVSH-në përkatëse, krahas fondeve të tjera të lidhura me mbikëqyrjen dhe kostot lokale”, bëri të ditur ai.

Sipas kreut të Policisë, projekti synon rritjen e kapaciteteve për monitorimin e territorit, administrimin e sigurisë publike dhe përmirësimin e reagimit operacional. Ai theksoi gjithashtu se përdorimi i këtyre sistemeve duhet të shoqërohet me standarde për mbrojtjen e të dhënave personale dhe respektimin e privatësisë.

Përfundimi i prezantimit

Në përfundim të prezantimit në Komisionin e Sigurisë, Hita theksoi se fondet e parashikuara duhet të përkthehen në rezultate konkrete për qytetarët.

“Investimi në burime njerëzore, teknologji, pajisje dhe infrastrukturë nuk është thjesht një rritje e shpenzimeve buxhetore, por një investim në sigurinë publike, në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në besimin e qytetarëve te institucionet”, tha ai.

/m.q/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha