Regjisori Michal Kosakowski sjell një vështrim kritik mbi përfaqësimin e Holokaustit në kinematografi, duke ndërthurur mijëra sekuenca filmike të mbledhura gjatë tetë vjetëve kërkim në arkiva ndërkombëtare.
Eseja filmike “Holofiction”, me regji të Michal Kosakowskit, shqyrton mënyrën se si kinemaja e ka paraqitur Holokaustin ndër vite, duke vënë në dialog imazhe nga më shumë se 3 mijë filma. Vepra, e realizuar si bashkëprodhim gjermano-austriak në vitin 2025, me kohëzgjatje prej 102 minutash, ndërton një reflektim mbi kujtesën historike dhe kufijtë e përfaqësimit artistik të një prej tragjedive më të rënda të historisë njerëzore.
Për realizimin e filmit, Kosakowski kaloi tetë vjet duke hulumtuar në arkiva filmike ndërkombëtare dhe duke shqyrtuar mijëra prodhime kinematografike. Nga ky material i gjerë, regjisori ndërtoi një montazh që nuk e rrëfen Holokaustin përmes dokumenteve apo dëshmive të drejtpërdrejta, por përmes mënyrës se si ngjarjet janë rindërtuar në filmat artistikë.
Qëndrimi kritik ndaj përfaqësimit
Që në fillim, vepra vendos një qëndrim kritik ndaj kësaj forme përfaqësimi, duke u mbështetur edhe në një citim të regjisorit dhe dokumentaristit Claude Lanzmann: “Fiksioni është një shkelje. Jam i bindur se paraqitja e disa gjërave është e ndaluar.” Ky qëndrim lidhet me debatin e gjatë mbi kufijtë etikë të paraqitjes së Holokaustit në ekran, veçanërisht në raport me filma si “Schindler’s List” i Steven Spielbergut.

Montazhi dhe struktura vizuale
Në “Holofiction”, imazhet nuk shoqërohen me dialogë, efekte zanore apo koment narrativ. Çdo sekuencë identifikohet vetëm përmes titullit të filmit dhe vitit të prodhimit, ndërsa muzika e kompozuar posaçërisht nga Paolo Marzocchi krijon një vijë shoqëruese për montazhin. Kështu, imazhet vendosen përballë njëra-tjetrës dhe krijojnë kuptime përmes përsëritjes dhe ndërthurjes.
Përmes këtij organizimi vizual, Kosakowski rikthen motive që janë bërë pjesë e përfytyrimit kinematografik të Holokaustit: deportimet, trenat, getot, kullat e vrojtimit, kampet, numrat e tatuazhuar në krahë, dhunën, vuajtjen dhe vdekjen. Sekuencat ndërrojnë ritëm, herë duke u ndërthurur me shpejtësi e herë duke u ndalur më gjatë, duke krijuar një vepër që shqyrton jo vetëm atë që tregojnë filmat, por edhe mënyrën se si e tregojnë atë.
Në montazhin e tij, regjisori vendos krah për krah prodhime të njohura si “Schindler’s List”, “The Pianist”, “Life Is Beautiful” dhe “Inglourious Basterds”, përshtatje të ndryshme të ditarit të Anne Frankut, si dhe filma të shumtë të Evropës Lindore. Në këtë përzgjedhje përfshihen edhe prodhime që e kanë trajtuar temën përmes erotizimit dhe paraqitjeve problematike të dhunës në kampet e përqendrimit.
Ndërthurja e imazheve dhe kujtesa historike
Përmes këtij ballafaqimi, “Holofiction” vë në pah se sa shpesh shfarosja e hebrenjve evropianë është rindërtuar përmes gjuhës dhe konvencioneve të kinemasë së zhanrit. Përsëritja e të njëjtave motive krijon një lloj rrëfimi të ri, ku imazhet nuk shërbejnë vetëm për të kujtuar ngjarjet historike, por edhe për të shqyrtuar mënyrën se si ato janë shndërruar në përfaqësime filmike.
Në vlerësimin e kritikut Benjamin Moldenhauer për gazetën gjermane “taz”, forca e veprës qëndron pikërisht te kjo qasje vizuale dhe kritike. Filmi nuk imponon një interpretim të vetëm dhe as nuk ofron shpjegime përmes zërit narrativ, por ua lë imazheve mundësinë të krijojnë marrëdhënie dhe të nxisin reflektim.
Një nga leximet e mundshme të veprës lidhet me përsëritjen e vazhdueshme të të njëjtave motive, e cila mund të shihet si një tjetër shkelje e kufijve të përfaqësimit, në kuptimin e paralajmërimit të Lanzmannit. Kësaj here, jo përmes një imazhi të vetëm, por përmes përsëritjes së pafundme të skenave që e vendosin Holokaustin brenda modeleve rrëfyese të kinemasë.
Me “Holofiction”, Michal Kosakowski ndërton një ese filmike ku imazhet marrin rolin kryesor në një reflektim mbi kujtesën, përgjegjësinë artistike dhe mënyrën se si kinemaja i jep formë historisë./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










