Kërkesa e Iva Mihailovës, e cila është arratisur, për t’u lidhur me video në seancat e gjyqit ndaj saj është hedhur poshtë nga Gjykata në Koçani.
Mihailova, 23 vjeçe, u largua drejt Bullgarisë dhe po ndiqet penalisht në Gjykatën Themelore në Koçani për një aksident trafiku me pasojë vdekjen. Ajo i tha “BNT” se avokati i saj kishte paraqitur tashmë kërkesën për ta lejuar të merrte pjesë online në seancën e ardhshme, të planifikuar për sot.
Akuzat ndaj policisë
Në një intervistë për “BNT”, Mihailova ngriti akuza të rënda ndaj policisë së RMV-së për abuzim psikologjik, mbikëqyrje dhe kontrolle të paligjshme gjatë kohës që ndodhej në Koçan.
Qëndrimi i prokurorisë
Sipas “BNT”, që po ndjek seancën në Koçani, prokurori Igorço Krstov e kundërshtoi kërkesën. Ai vlerësoi se e akuzuara mund të paraqitet vetë në sallën e gjyqit dhe të marrë pjesë në seancën kryesore, ashtu siç kishte bërë në seancat e mëparshme.
Nga prokuroria u deklarua se Mihailova nuk i respektoi masat për të siguruar praninë e saj dhe u arratis me dashje e me vetëdije. Për këtë arsye, sipas këtij qëndrimi, ajo vetë zgjodhi që procedura të vijonte pa të.
Burimi: www.albeu.com









