Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Chiara Ferragni ka vendosur të tregojë pa filtra disa nga momentet më të vështira të jetës së saj, duke u ndalur te fundi i martesës me Fedez, tradhtia që zbuloi dhe skandali i Pandoros, që tronditi karrierën dhe imazhin e saj publik.
Intervista për “Vanity Fair Italia”
Në një intervistë të gjatë për revistën “Vanity Fair Italia”, sipërmarrësja italiane ka ndarë detaje të panjohura më parë, vetëm pak ditë përpara publikimit të dokumentarit të saj në Netflix, më 23 nëntor. Biseda me kryeredaktorin Simone Marchetti vjen si një rrëfim i drejtpërdrejtë për periudhën kur gjithçka në jetën e saj dukej se po shembej.
Martesa me Fedez
Një nga pjesët më personale të intervistës lidhet me marrëdhënien me ish-bashkëshortin, Fedez. Ferragni pranon se, pavarësisht momenteve të bukura që kanë ndarë, në martesën e tyre kishte edhe shumë debate, tensione dhe situata që me kalimin e kohës i kishte konsideruar gabimisht si shenja dashurie.
“Me Federicon ndihesha vetëm”, është një nga deklaratat më të forta të saj. Ajo tregon se për një kohë të gjatë kishte toleruar situata të vështira, nga frika se mos përfundonte edhe më e vetmuar dhe se familja e tyre do të shkatërrohej.
Një tjetër moment që e ka lënë të tronditur ishte telefonata e 19 dhjetorit 2024, kur Fedez i tregoi për marrëdhënien me Angelica Montini.
“Ai më tregoi për Angelica-n. Herën e fundit që e kisha parë ishte një muaj para dasmës sonë. Të zbuloja se ai kishte pasur një lidhje me të ishte tronditëse”, rrëfen Ferragni.
Duke kujtuar martesën, ajo shprehet se kishte besuar se dashuria mund t’i rregullonte të gjitha, por realiteti rezultoi ndryshe: “Kishte dashuri dhe mendoja se dashuria do të zgjidhte gjithçka. Nuk ndodhi kështu”.
Ferragni është ndalur edhe te momentet e tensionuara gjatë Festivalit të Sanremos, veçanërisht te puthja mes Fedez dhe Rosa Chemical, e cila ndodhi në skenë, përpara syve të gjithë Italisë.
Ajo tregon se ishte ndier e ekspozuar dhe e pavlerësuar, pasi kishte kërkuar që bashkëshorti ta respektonte. “Përpara gjithë Italisë, ai tregoi se nuk më respektonte. Dhe unë u ndjeva në siklet”, kujton ajo.
Skandali i Pandoros
Por në intervistë, Chiara nuk është ndalur vetëm te e kaluara sentimentale. Ajo ka folur hapur edhe për skandalin e Pandoros, i cili ndikoi ndjeshëm në imazhin e saj publik dhe në karrierën e ndërtuar ndër vite. Këtë herë, ajo e pranon se çështja nuk ishte thjesht një gabim komunikimi, por një gabim në mënyrën se si ishte konceptuar dhe realizuar e gjithë nisma.
Sipërmarrësja rikthehet edhe te mëngjesi i 15 dhjetorit 2023, kur mori vesh përmes telefonit lajmin se ishte gjobitur me një milion euro nga Autoriteti Italian i Konkurrencës për rastin e Pandoros. Ajo tregon se lajmin e kishte zbuluar sapo ishte zgjuar dhe kishte kërkuar menjëherë në internet për të kuptuar çfarë po ndodhte.
Madje, atë ditë kishte edhe një aktivitet shkollor të të birit, Leone, ku vendosi të shkonte pavarësisht gjendjes emocionale. Në të njëjtën ditë kishte edhe një fushatë publicitare për një markë të njohur, ndërsa mendonte se duhej të reagonte publikisht përmes Instagramit.
Sot, ajo pranon se do të kishte vepruar ndryshe dhe se duhej të kishte marrë më shumë kohë përpara se të publikonte një reagim.
Videoja e ndjesës
Një detaj tjetër interesant lidhet me videon e famshme të ndjesës, ku u shfaq me tuta gri, pa makijazh dhe në një ambient shtëpiak. Ferragni zbulon se ideja për të bërë një reagim të tillë erdhi nga një prej bashkëpunëtorëve të Fedez, i cili i sugjeroi të bënte diçka të fortë për të treguar se besonte në qëllimet e saj. Vendimi u mor në bashkëpunim me Federico-n dhe një konsulent për menaxhimin e krizave.
Në të njëjtën intervistë, ajo ka folur edhe për periudhën e depresionit, pasojat emocionale të krizës dhe rëndësinë e terapisë psikologjike në procesin e rimëkëmbjes.
Një fillim i ri
Ndërkohë, në jetën sentimentale duket se ka gjetur një tjetër energji. Ferragni ka rrëfyer edhe njohjen me José Hernández, të cilin e takoi gjatë një udhëtimi në Kolumbi, të organizuar në minutën e fundit me motrën e saj, Valentina, dhe disa miq.
Ajo kujton se u tërhoq fillimisht nga energjia dhe gjallëria e tij, ndërsa puthja e parë mes tyre ndodhi më 1 janar, në ditën e parë të vitit të ri.
“U puthëm në të njëjtën kohë. Thashë me vete: Ja, një fillim i mbarë”, regon ajo, duke shtuar se në atë moment kishte nevojë të largohej nga gjithçka dhe të përjetonte energji të reja pozitive.
Sot, pas gjithë asaj që ka kaluar, dëshira e saj duket se është shumë më e thjeshtë: të gjejë qetësinë dhe të ndihet mirë pranë dikujt, pa pasur më nevojë për miratimin e vazhdueshëm të të tjerëve.
Ky rrëfim vjen pak ditë përpara dokumentarit në Netflix, ku publiku do të ketë mundësinë të shohë edhe më nga afër periudhën më të vështirë të jetës së Chiara Ferragni-t, nga kriza personale dhe profesionale deri te përpjekjet për të nisur një kapitull të ri.
Burimi: bordo.al










