Deklarata e Angela Martinit
Pas muajsh spekulimesh dhe paqartësish rreth jetës së saj private, Angela Martini ka konfirmuar zyrtarisht përfundimin e martesës me biznesmenin rumun Dragos Savulescu.
Vetë modelja shqiptare e ka bërë publik lajmin me një deklaratë në Instagram, ku njofton se marrëdhënia e tyre ka përfunduar pas një kapitulli të rëndësishëm të jetës së përbashkët.
Në mesazhin e saj, Angela thekson se, pavarësisht ndarjes, djali i tyre do të mbetet përparësia kryesore dhe se lumturia dhe mirëqenia e tij janë mbi çdo gjë tjetër.
“Pas një kapitulli shumë të rëndësishëm së bashku, marrëdhënia jonë ka përfunduar. Djali ynë mbetet dhurata më e madhe e kohës që kemi ndarë bashkë, dhe lumturia e mirëqenia e tij do të jenë gjithmonë në vend të parë”, shkroi modelja.
Ajo e mbylli deklaratën me një urim për ish-bashkëshortin, duke i dëshiruar çdo lumturi dhe duke falënderuar ndjekësit për mirëkuptimin dhe respektimin e privatësisë së familjes.
“Dragosit i uroj çdo lumturi. Ju falënderoj për mirësinë dhe për respektimin e privatësisë sonë”, shtoi ajo.
Sfondi i ndarjes
Kujtojmë se në tetor të vitit 2025, mediat ndërkombëtare raportuan se Angela kishte filluar procedurat e divorcit pas rreth tetë vitesh martesë. Megjithatë, shfaqjet e tyre të përbashkëta në rrjetet sociale në fillim të vitit 2026 kishin ngritur dyshime se çifti mund t’i kishte dhënë një mundësi tjetër marrëdhënies.
Angela Martini dhe Dragos Savulescu u martuan në dhjetor të vitit 2017 dhe kanë një djalë, Kyree. Me deklaratën e fundit, modelja duket se ka larguar çdo paqartësi rreth statusit të marrëdhënies së tyre.
Burimi: bordo.al










