Policia e Durrësit ka finalizuar dy operacione të koduara “Reagimi” dhe “Yellow Line”, në kuadër të të cilave janë arrestuar tre persona, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Operacioni “Reagimi” në Durrës
Operacioni i parë, i koduar “Reagimi”, u zhvillua nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet “Shqiponja”.
Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe kontrolleve në terren, u bë e mundur kapja e 34-vjeçarit me inicialet Xh. S., i cili dyshohet se mëngjesin e sotëm, në lagjen nr. 14 në Durrës, ka kërcënuar me një mjet prerës një 30-vjeçar, taksist, dhe i ka marrë celularin, një shumë parash dhe çelësin e automjetit.
Operacioni “Yellow Line” në Portin e Durrësit
Ndërkohë, operacioni i dytë, i koduar “Yellow Line”, u finalizua në Portin e Durrësit nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe autoritetet doganore.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë dy të rinj, D. Z., 27 vjeç, dhe E. K., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjatë kontrollit të një furgoni, me drejtues 27-vjeçarin dhe pasagjer 24-vjeçarin, policia gjeti një sasi të konsiderueshme farash të dyshuara narkotike kanabis, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis dhe një shumë parash.
Provat dhe vazhdimi i procedurës
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndët e gjetura, automjeti dhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Burimi: euronews.al










