Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Bylykbashi: Rama s’i përballon dot protestat, Manja akuzon grupe me maska

Bylykbashi: Rama s’i përballon dot protestat, Manja akuzon grupe me maska
Foto: kohajone.com

Akti normativ për tubimet dhe debati në Komision

Akti normativ për tubimet, pjesë e paketës anti-dhunë të qeverisë, ka sjellë debate dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin për Çështjet Ligjore. Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, e quajti aktin normativ antikushtetues, duke akuzuar qeverinë se po përdor masat ndëshkuese për të kufizuar protestat dhe për të ushtruar presion ndaj qytetarëve që e kundërshtojnë qeverinë.

”Jemi përpara akteve që qartazi janë antikushtetuese. Rama nuk i përballon dot këto protesta, kemi pasqyrën e gjendjes së brendshme të kryeministrit në këto akte. Si i duron dot ai protestuesit kundër tij? Ju i arrestoni, i mbani përtej afatit ligjor, i vendosni edhe gjobë. Pasojë e aktit tuaj normativ, një vajzë e re ankohej dhe thoshte se protestoj sepse prindërit e mi kanë pensione skandaloze dhe më kanë vënë gjobë 5-milionëshe dhe nuk e paguaj dot.

Çfarë bëni ju? I arrestoni, i rrihni si në kohën e komunizmit, edhe në furgona, edhe u thoni policëve: Thyeni brinjët, se do të merrni edhe 2.500 euro. Dhe përballë kësaj, urgjenca e Ramës për të mbrojtur veten e vet. Debati do të bëhet në Gjykatën Kushtetuese, se këtu nuk bëhet dot, pas asaj që pamë te Gjiri i Lalzit”, deklaroi Bylykbashi.

Mbrojtja e qeverisë

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Ulsi Manja, mbrojti nismën e qeverisë, duke argumentuar se masat synojnë të parandalojnë dhunën dhe jo të kufizojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar. ”Ka pasur protesta dhe do të ketë, por është fakt që Shqipëria u gjend në valën e një dhune që nuk ka lidhje fare me protestuesit që duan të protestojnë paqësisht në këtë vend. Dhunë e organizuar nga grupe personash me maska, dhunë deri në përdorimin e mjeteve të rrezikshme ndaj jetës së policëve.

Institucionet duhet të hetojnë edhe disproporcionalitetin e dhunës, nëse ka pasur, por ky vend ka institucione drejtësie. Kjo valë dhune nuk kurseu as policinë, as shtetin, u vu në vështirësi sistemi bankar, u thyen bankomate dhe njerëzit as nuk tërhiqnin dot lekë për nevojat e ditës”, u shpreh Manja.

Burimi: kohajone.com

Të fundit Të gjitha