Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Komisioni kërkon ekspertë nga OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore

Komisioni kërkon ekspertë nga OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore i është drejtuar zyrtarisht OSBE/ODIHR-it me kërkesë për caktimin e ekspertëve që do t’i bashkohen grupit të punës për hartimin e ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor.

Kërkesa është nënshkruar nga bashkëkryetarët e Komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, pas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 17 nëntor 2026.

Kërkesa drejtuar OSBE/ODIHR-it

Në shkresën drejtuar OSBE/ODIHR-it, dy bashkëkryetarët kërkojnë që ekspertët të përfshihen drejtpërdrejt në procesin e hartimit të projektakteve që do të dalin nga reforma zgjedhore.

“Angazhimi i këtyre ekspertëve do të mbështesë vijimin dhe përmbylljen e punës së nisur, duke ndihmuar në trajtimin e çështjeve të mbetura dhe në reflektimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Përfshirja e tyre në procesin e hartimit do të mundësojë ofrimin e ekspertizës së specializuar gjatë përgatitjes dhe finalizimit të projektakteve”, thuhet në kërkesë.

Emrat e ekspertëve

Në zbatim të këtij vendimi, Gjiknuri dhe Bylykbashi i kërkojnë OSBE/ODIHR-it caktimin e ekspertëve dhe njoftimin e emrave të tyre, me qëllim përfshirjen në veprimtarinë e grupit të ekspertëve të Komisionit.

“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm, mbetemi të angazhuar për vijimin e një procesi gjithëpërfshirës, të mbështetur në ekspertizën profesionale dhe në rekomandimet ndërkombëtare”, thuhet në kërkesë.

/m.q/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha