TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka parashikuar 4,3 miliardë lekë për programin e menaxhimit të infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes në vitin 2027, me një rritje prej 19,3% krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026.
Ndërkohë, për mbështetjen e sektorit të peshkimit dhe akuakulturës janë planifikuar 727 milionë lekë, ose 25% më shumë se një vit më parë.
Investimet në ujitje, kullim dhe mbrojtje nga përmbytjet
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Komisionin përkatës theksoi se investimet në infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet mbeten një prioritet madhor për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor.
Sipas tij, rreth 2,26 miliardë lekë do të përdoren për vijimin e 74 objekteve të nisura gjatë vitit 2026, nga të cilat 24 janë në administrim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe 50 në administrim të bashkive.
Investimet do të përqendrohen në rehabilitimin, rikonstruksionin dhe modernizimin e infrastrukturës ekzistuese, me përparësi përfundimin e projekteve të nisura dhe përgatitjen e ndërhyrjeve strategjike për vitet në vijim.
“Për përgatitjen e projekteve të zbatimit janë parashikuar 400 milionë lekë, të cilat do të shërbejnë për ndërhyrje strategjike në lumenjtë Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë, si dhe në sistemet e kullimit të fushave torfike të Torrovicës dhe Maliqit. Investimet e planifikuara synojnë përmirësimin e ujitjes në rreth 13 mijë hektarë dhe ndërtimin ose rehabilitimin e rreth 10 kilometrave argjinatura. Gjithashtu, përfundimi i hidrovorit të Orikumit pritet të përmirësojë kushtet e kullimit në rreth 500 hektarë tokë”, theksoi Salla.
Ndërkohë, shtoi Salla, për shpenzimet operative janë parashikuar 830 milionë lekë, me synim mirëmbajtjen dhe përmirësimin e sistemeve të kullimit në rreth 60 mijë hektarë, përmes pastrimit të rreth 300 kilometrave kanale kryesore dhe lëvizjes së rreth 2,5 milionë metrave kub dhera.
Salla tha se në këtë program parashikohet gjithashtu përmirësimi i ujitjes në rreth 30 mijë hektarë, funksionimi i veprave të marrjes së ujit për 21 kanale kryesore dhe mirëmbajtja e 27 hidrovoreve.
Peshkimi dhe akuakultura
Ministri Salla bëri të ditur gjithashtu se për programin e mbështetjes për peshkimin në vitin 2027 janë parashikuar 727 milionë lekë, me një rritje prej 25% krahasuar me vitin 2026.
Salla tha se objektivat e këtij programi përfshijnë rritjen graduale të prodhimit të produkteve peshkore me 10-20% dhe të eksporteve me 15-20% deri në vitin 2028.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe përmbushjes së angazhimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian, në kuadër të Kapitullit 13 “Peshkimi”, përmes përafrimit të legjislacionit dhe harmonizimit të sektorit me kërkesat e Bashkimit Evropian.
“Në këtë drejtim, parashikohet mbështetja për modernizimin e porteve të peshkimit, përmirësimin e kapaciteteve ankoruese, përdorimin e teknologjive të reja të prodhimit dhe ripopullimin e ujërave natyrore, me synimin për të arritur prodhimin e 2 deri në 2,5 milionë copëve rasat në vit”, tha Salla.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm, vijoi Salla, është zhvillimi i akuakulturës së midhjes në Lagunën e Butrintit, përmes përmirësimit të kushteve mjedisore dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese.
“Paralelisht, do të forcohen kontrollet kundër peshkimit të paligjshëm, monitorimi digjital dhe pajisja graduale e anijeve të peshkimit artizanal me sisteme gjurmuese VMS. Këto ndërhyrje synojnë rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sektorit të peshkimit dhe akuakulturës, si dhe përmbushjen e detyrimeve që lidhen me Politikën e Përbashkët të Peshkimit të Bashkimit Evropian”, tha Salla.
Këshillimi bujqësor, toka dhe administrimi
Në projektbuxhetin e vitit 2027, Salla tha se “për programin e Këshillimit dhe Informacionit Bujqësor janë parashikuar 872 milionë lekë, me rritje 6,4% krahasuar me vitin 2026. Fondet synojnë informimin dhe asistimin e fermerëve, përmirësimin e paketave teknologjike dhe trajnimin e specialistëve”.
Ndërsa për menaxhimin e qëndrueshëm të tokës bujqësore Salla theksoi se janë parashikuar 25 milionë lekë, me fokus digjitalizimin e regjistrave të tokës dhe integrimin e të dhënave në sistemin GIS.
“Ndërsa programi i Planifikimit, Menaxhimit dhe Administrimit ka një tavan prej 663 milionë lekësh, me rritje 11%. Në këtë kuadër parashikohet shtimi i organikës së ministrisë me 50 punonjës, në funksion të forcimit të kapaciteteve administrative dhe përmbushjes së detyrimeve në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian”, tha Salla.
/k.s/j.p/
Burimi: ata.gov.al










