Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Revista pariziene shkruan rrallë për Ismail Qemalin dhe çmimin e pavarësisë

Revista pariziene shkruan rrallë për Ismail Qemalin dhe çmimin e pavarësisë
Foto: gazetashqiptare.al

Nga Evarist Beqiri

Veprat e mëdha historike nuk arrihen lehtë. Ato kushtojnë me jetë njerëzish dhe me vuajtje të rënda. Gjatë studimit të rrugës politike të Ismail Qemal Vlorës, shpesh e kalojmë pa vëmendje sakrificën e tij dhe terrorin shtetëror që ra mbi familjen pasi ai u arratis dhe mori azil politik në Evropë, në maj të vitit 1900.

Dëshmia e shtypit evropian

Një dokument i errët mbi këtë çmim vjen nga shtypi evropian, 125 vjet më parë. Më 25 tetor 1901, revista pariziane „Pro Armenia“, në komitetin drejtues të së cilës bënin pjesë figura të njohura si Georges Clemenceau, Anatole France, Jean Jaurès, Francis de Pressensé dhe Eugène de Roberty, botoi këtë raportim shqetësues:

„Gjithë Evropa ka dëgjuar për shqiptarin (Arnaout) Ismail Qemal beun, ish-anëtar i Këshillit të Shtetit në Kostandinopojë dhe kohët e fundit të emëruar guvernator i Tripolit në Afrikë, që ishte vendi i internimit të tij. Por ndoshta shumë njerëz nuk e dinë se Ismail Qemal beu, përveç dy fëmijëve të mitur që mori me vete, la pas dy djem adoleshentë, njëri prej të cilëve ishte adjutant perandorak, si dhe gruan dhe vajzat e tij. Cili ishte, pra, fati i tyre?

Djali i madh, adjutanti, u burgos para një ose dy muajsh dhe më pas u internua… ndoshta në botën tjetër. I dyti u arrestua rreth tri javë më parë, në shtëpinë e babait të tij në Arnavutqoj (Bosfor), dhe nuk dihet çfarë i ka ndodhur. Shtëpia e Ismail Qemal beut ishte nën mbikëqyrjen më të rreptë për kohë të gjatë, madje edhe para internimit të tij; ditë për ditë shfaqen spiunë të rinj, dhe madje edhe oficerë të kazermës lokale janë caktuar posaçërisht për të spiunuar shtëpinë e Qemal beut.

Tani që nuk ka mbetur asnjë burrë në këtë shtëpi, ajo vazhdon të jetë nën survejim; as një zog, as një mizë nuk guxon t’i hedhë sytë drejt saj. Nuk dihet me çfarë ushqehen gratë dhe si ua sigurojnë nevojat themelore. Çfarë mund të bëjnë këto të rrethuara, të privuara nga çdo lloj komunikimi… cili është qëllimi i Hamidit ndaj këtyre grave… kush do t’i shpëtojë këto të mjera nga një vdekje e sigurt dhe e tmerrshme… ah! ku është kalorësia që sakrifikohet për mbrojtjen e më të dobtëve?“

Shantazhi politik dhe ndërkombëtarizimi i çështjes

Përtej thirrjes dëshpëruese të gazetarit për ndërhyrje, ky tekst zbulon dy dimensione pak të njohura të lidershipit të tij. Së pari, mekanizmin e shantazhit të Sulltanit. Meqenëse nuk mund ta goditej fizikisht Ismail Qemalin në Evropë, shteti osman përdori terrorin ndaj familjes së tij për ta detyruar të ndryshonte qëndrimin. Vetë revista, në një paragraf të mëtejshëm të të njëjtit numër, e thekson këtë rrethim duke e quajtur drejtpërdrejt veprim të regjimit: „Kemi parë se informatorët e Hamidit po përpiqeshin ta vdisnin urie familjen e Ismail Kemal beut në shtëpinë e tij të rrethuar.“

Së dyti, fakti që një revistë si „Pro Armenia“, në komitetin e së cilës spikaste politikani i shquar francez (dhe kryeministri i ardhshëm) Georges Clemenceau, ngrinte zërin për një lider shqiptar, nuk ishte rastësi. Ismail Qemali po ndërtonte një rrjet të gjerë ndërkombëtar mbështetjeje për popujt e nënshtruar nga Sulltani, duke përdorur shtypin evropian dhe kauzat e popujve të tjerë si mjet politik për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi Stambollin.

Kjo ishte një pengmarrje e qartë, që synonte ta pengonte veprimtarinë e tij politike dhe ta detyronte të dorëzohej përmes vuajtjes së njerëzve më të dashur. Këtu formohet përmasa e vërtetë e sakrificës. Edhe pse në atë kohë beteja e tij kryesore synonte rrëzimin e absolutizmit të Abdylhamitit II, ky sulm i pamëshirshëm ndaj familjes e forcoi burrështetasin që pak vite më vonë do ta ndryshonte hartën e Ballkanit. Shqipëria e vitit 1912 u ngrit mbi vullnetin e fortë të një lideri që, edhe kur familja e tij u rrezikua nga terrori i Bosforit, nuk bëri asnjë kompromis me vizionin e tij.

Burimi: gazetashqiptare.al

Të fundit Të gjitha