Edi Rama për protestat dhe krimin e organizuar
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave të mbajtura në Tiranë dhe ndaj akuzave për rritjen e krimit të organizuar shqiptar në tregjet ndërkombëtare, gjatë një interviste me gazetarin amerikan Andrew Callaghan për emisionin “Channel 5”.
Kur u pyet për tubimet e fundit dhe kërkesat e protestuesve për ndryshim, Rama tha se qeveria ka shënuar shqetësimet e ngritura dhe se disa prej tyre kanë filluar të zbatohen.
Për sa i përket akuzave për forcimin e grupeve kriminale shqiptare dhe lidhjeve të tyre me trafikun ndërkombëtar të drogës, kryeministri i cilësoi raportimet për ekzistencën e një “mafie shqiptare” si gjepura. Ai iu referua edhe një deklarate që, sipas tij, i është bërë nga drejtuesi i SPAK-ut.
Pjesë nga intervista
Rama: Thuaj çfarë dëshiron nga unë.
Gazetari: Cili është mendimi juaj për protestat në rrugë, për “Revolucionin Flamingo” dhe për njerëzit që kërkojnë ndryshim?
Rama: A ndjen ti që këtu po ndodh ndonjë revolucion?
Gazetari: Thjesht po e them ashtu siç e quajnë ata.
Rama: Është një protestë dhe gjithçka është në rregull. Ne kemi të drejtën të protestojmë, sepse jemi një vend i lirë dhe demokratik.
Gazetari: A keni dëgjuar ndonjë shqetësim nga ata që ju ka bërë të mendoni se duhet të ndryshoni disa gjëra në shoqërinë këtu?
Rama: Jo. Le të themi se në javën e parë, kur të gjithë ishin në rrugë, ishte shumë e dobishme të dëgjoje përtej zhurmës. Dhe sigurisht që ne kemi mbajtur shënime. Disa nga ato shënime po zbatohen tani.
Gazetari: Cilat janë ato gjëra që ju mendoni se janë të rëndësishme për t’u zbatuar?
Rama: Për shembull, pasqyra digjitale. Presidenti juaj (Donald Trump) shpalosi pak ditë më parë një burim informacioni me inteligjencë artificiale për qeverinë. Ne e lançuam menjëherë pasi e shënuam që nga fillimi i protestës, dhe tani po e zbatojmë. Për shembull, sot gjithçka që lidhet me projektin që ka nxitur turmën është e ekspozuar online, në mënyrë transparente.
Gazetari: Një temë që ka dalë shumë nga këto protesta është rritja e krimit të organizuar në Shqipëri. Disa grupe të ndryshme janë rritur shumë dhe po dominojnë tregun e kokainës në Evropë, Australi dhe shtete të tjera.
Rama: Kush e thotë këtë?
Gazetari: Raportet e DEA-s (Agjencisë për Zbatimin e Ligjeve mbi Drogat), inteligjenca e SPAK-ut dhe organizata të tjera kanë thënë se tregje të ndryshme të kokainës në Londër, në Izrael dhe porte të ndryshme në Ekuador janë tashmë nën kontrollin e grupeve që kanë pranuar lidhje me mafien shqiptare.
Rama: Unë kam dëgjuar se, përkundrazi, të paktën drejtori i SPAK-ut, disa vite më parë, tha se nuk ekziston diçka e tillë si mafia shqiptare. Nuk ekziston. Ka shqiptarë, ashtu si ka amerikanë, spanjollë apo italianë, quaje si të duash, që janë të përfshirë në këtë zinxhir ndërkombëtar. Por nuk ka asgjë si një mafia shqiptare që kontrollon botën e kokainës. Këto gjëra janë, më falni, gjepura.
Gazetari: Nga mendoni se vijnë këto gjepura?
Rama: Nuk e di, por janë gjepura sepse nuk përputhen me realitetin.
Gazetari: Pra ju mendoni se këto gjëra nuk ndodhin?
Rama: Ky nuk është një opinion. Po ju them se vetë drejtori i SPAK-ut më ka thënë se mafia shqiptare nuk ekziston.
Gazetari: Në rregull. Nëse shihni të dhënat e fundit të publikuara nga SPAK-u, thuhet se mes viteve 2015 dhe 2024 është vlerësuar se më shumë se 54% e parave që qarkullojnë nga agjencitë imobiliare dhe sektori i ndërtimit në Shqipëri vijnë nga burime të panjohura dhe të paligjshme. Ju keni dorë në miratimin e këtyre zhvillimeve.
Rama: Kush e thotë këtë?
Gazetari: SPAK-u. Shumë gazetarë ndërkombëtarë.
Rama: SPAK-u nuk e ka thënë kurrë këtë. SPAK-u nuk ka raportuar kurrë një problem të tillë. Mund të ketë thënë diçka tjetër, se paratë e sekuestruara, një pjesë e tyre, janë derdhur në agjencitë imobiliare. Por SPAK-u nuk e ka thënë kurrë atë.
Burimi: lajmifundit.al










