TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka nënvizuar nevojën për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve anëtare të NATO-s në përballjen me kërcënimet hibride, dezinformimin dhe fushatat keqdashëse në hapësirën digjitale.
Në një intervistë për POLITICO Europe, Nufi theksoi se këto kërcënime synojnë të minojnë besimin publik, të nxitin përçarje dhe të dobësojnë qëndrueshmërinë e shoqërive demokratike.
Një NATO më aktive ndaj kërcënimeve
Ministri theksoi nevojën për një NATO më aktive, me mekanizma të koordinuar, ekspertizë të specializuar dhe ekipe reagimi në mbështetje të vendeve anëtare.
Siguria përtej territorit
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për Shqipërinë siguria nuk kufizohet vetëm në mbrojtjen e territorit, por përfshin edhe mbrojtjen e institucioneve, qytetarëve dhe hapësirës sonë informative.
“Përballë sfidave të reja, vendi ynë mbetet i angazhuar për një Aleancë më të fortë, më të përgatitur dhe më të bashkuar, ku siguria e çdo vendi është pjesë e sigurisë së përbashkët”, theksoi ministria e Mbrojtjes.
/m.q/j.p/
Burimi: ata.gov.al










