TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se nga territori i Shqipërisë nuk është kryer dhe as autorizuar asnjë sulm ndaj Rusisë, duke i cilësuar lajmet që lidhin vendin tonë me goditjen e një anijeje ruse në brigjet e Libisë si pjesë të një fushate dezinformimi.
Sulmi në Bengazi dhe pretendimet për Shqipërinë
I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Nufi tha se sulmi ndaj anijes ruse në brigjet e Libisë, pranë Bengazit, u mor përsipër nga Ukraina dhe u realizua me dronë nënujorë, të cilët, shtoi ai, Shqipëria nuk i posedon.
Ministri theksoi se edhe në rastin hipotetik të disponimit të këtyre mjeteve, çdo veprim i tillë do të kërkonte komunikim dhe koordinim me Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).
“Shqetësuese ishte lidhja me kryerjen e sulmit nga territori i Shqipërisë. Kjo goditje nga Ukraina është kryer me anë të dronëve ujorë, që Republika e Shqipërisë nuk i posedon. Por edhe nëse do t’i kishim dronët, nuk do të vepronim pa pasur një komunikim me Aleancën. Rrjedhimisht, çdo veprim i tillë i pretenduar ishte lajm i rremë”, u shpreh Nufi.
Ai vuri në dukje se pretendimet u shpërndanë më tej edhe nga portale turke, ndërsa paralajmëroi për shtimin e fushatave të dezinformimit dhe ndikimin e tyre në sigurinë rajonale.
Pretendimet për ndryshimin e kufijve dhe NATO
Ministri i Mbrojtjes e cilësoi incidentin e Bengazit të rëndë, duke theksuar se përshkallëzimi i luftës në Ukrainë ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal.
Nufi iu referua edhe pretendimeve për ndryshimin e kufijve dhe përpjekjeve të Rusisë që disa shtete të largohen nga NATO, mes tyre Shqipëria, Moldavia dhe vendet baltike.
Ai i cilësoi këto pretendime absurde, duke nënvizuar se NATO është një aleancë mbrojtëse, e angazhuar për garantimin e sigurisë së vendeve anëtare.
“Situata në luftën në Ukrainë ka precipituar, pasi stabiliteti në Ukrainë është i lidhur me stabilitetin në rajon. Është një situatë tejet shqetësuese, që nga dita në ditë ka marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha”, u shpreh ministri.
“Ne e konsiderojmë këtë si një pretendim absurd. Incidenti i Bengazit është një incident shumë i rëndë sa i takon flotës ruse. Ajo që mund të themi në mënyrë të prerë është që NATO është një aleancë mbrojtëse dhe, ashtu sikurse ne jemi të gatshëm jo vetëm të mbrojmë, por edhe të garantojmë sigurinë e vendeve të Aleancës”, theksoi Nufi.
Incidentet në Estoni dhe rreziku i dezinformimit
Duke iu referuar incidenteve të raportuara në kufirin me Estoninë dhe denoncimeve të autoriteteve estoneze për aktivitetin rus, Nufi tha se po zhvillohet një fushatë që synon të krijojë një perceptim shqetësues për sigurinë në Evropë.
“Incidente të vogla mund të bëhen shkaqe për agravime”, theksoi ministri, duke nënvizuar rrezikun që dezinformimi të ndikojë në përshkallëzimin e situatave ndërkombëtare.
Kërcënimet hibride dhe sulmi kibernetik i 2022
Nufi u ndal edhe te kërcënimet hibride dhe ndikimi i luftës në hapësirën digjitale, duke kujtuar sulmin kibernetik të vitit 2022 ndaj Shqipërisë.
Ai tha se vendi ynë ishte ndër shtetet e para që u angazhuan për të trajtuar dezinformimin dhe ndikimin e tij, pas sulmeve që paralizuan rreth 95% të shërbimeve online.
“Ne kemi qenë një nga shtetet e para pas sulmit në vitin 2022 që janë kujdesur për dezinformimin dhe ndikimin që ka dezinformimi në vende. Ne kishim 95 për qind të shërbimeve online që paralizuan shtetin. Sot lufta online dhe dezinformimi mund të bëhen shkak për nisjen e një lufte konvencionale”, deklaroi Nufi.
Sipas tij, lufta në Ukrainë ka marrë përmasa shqetësuese dhe përbën një nga përballjet më të mëdha ushtarake në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ai shtoi se në këtë konflikt, përveç armëve konvencionale, po përdoren edhe mjete dhe teknologji eksperimentale.
/gj.m/a.f/
Burimi: ata.gov.al









