Parashkrimi i dënimit ka shpëtuar një shqiptar nga ekstradimi prej Britanisë së Madhe drejt Shqipërisë.
Sabri Sopoti, 60 vjeç, u arrestua në qershor 2026 në një banesë në veri të Londrës nga oficerët e Njësisë Kombëtare të Ekstradimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA).
Ai ishte i kërkuar nga drejtësia shqiptare pas një dënimi me 24 vite burgim, dhënë nga Gjykata e Dibrës në vitin 2000, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Procesi i ekstradimit ndërpritet
Dokumenti që i është vënë në dispozicion gjykatës së ekstradimeve në Londër nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, tregon se procesi i ekstradimit për Sabri Sopotin është ndërprerë me kërkesë të vetë shtetit shqiptar, si palë kërkuese.
Kjo lidhet me një vendim të gjykatës së shkallës së parë në Dibër, në fillim të nëntorit 2026, ku është vendosur parashkrimi i dënimit.
Vrasja dhe arratisja
Sipas policisë shqiptare, më 12 dhjetor 1999, Sopoti përdori një armë automatike të tipit “Scorpion” për të vrarë në mënyrë brutale Bajram Kuckën, në një lokal në Dibër.
Pas vrasjes ai u arratis drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku kërkoi azil duke përdorur identitetin e rremë Zenel Bytyqi.
Pas fitimit të azilit, po me këtë emër të rremë, ai fitoi shtetësinë britanike dhe jetoi pa u zbuluar për 27 vite me radhë.
Burimi: lajmifundit.al










