Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Kandidatë për Tiranën nga ata që e dogjën kryeqytetin?

Kandidatë për Tiranën nga ata që e dogjën kryeqytetin?
Foto: tirananews.al

Nga Ylli Pata

Ka disa ditë që po përdoret një argument, sipas të cilit kandidati për bashkinë e Tiranës duhet të dalë nga protesta e flamingove dhe më pas nga e maskave që dogji Tiranën.

Kjo është një tezë boshe, një tezë pa sens dhe një tezë apolitike. Protesta e flamingove dhe derivatet e saj nuk ishin një protestë tiranase. Përkundrazi, nisën për Zvërnecin dhe u shtrinë në një fushë politike shumë më të madhe se vetë politika shqiptare.

Revolucioni i Flamingove nuk ishte një lëvizje politike, por një aksion irruptiv për të rrëzuar Edi Ramën.

Një aksion pa lidhje me qytetin

Mos arritja e këtij objektivi nuk e kthen këtë aksion në një lëvizje politike, pasi nëse ajo nis, duhet dhe do të ketë një proces. Ky proces nuk ka lidhje me Tiranën, sepse asnjë ditë protesta nuk ka folur për qytetin. Ajo ka folur për Lindjen e Mesme, Azinë e Vogël, hebrenjtë, Shtetet e Bashkuara, por aspak për aspektin e jetës urbane në Tiranë.

Ata që thonë se kandidatin e Tiranës duhet ta nxjerrë protesta, e bëjnë sepse nuk kanë lidhje politike dhe kërkojnë një ganxhë ku të ngulen.

Beteja e vërtetë për Tiranën

Beteja e Tiranës është krejt tjetër. Është politike, madje politikë e nivelit të lartë.

Tirana nuk është vetëm territori me numrin më të madh të zgjedhësve, por edhe zona ku përfshihet një projekt politik i mazhorancës së Edi Ramës: modeli i një metropoli që zhvillohet në mënyrë ekscentrike, në një plan të fortë ndërtimesh biznesi. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një model politik.

Ky model ka marrë mjaft kritika këto vite: si një plan që e ka prishur qytetin e vjetër, si një plan që e ka trazuar jetën e tiranasve, si një plan që ka sjellë një situatë që njerëzit nuk e pëlqejnë.

Fakti është i diskutueshëm, pasi janë pronarët ata që japin terrenet e tyre për t’u zhvilluar, sepse pjesa më e madhe e tokës është pronë private. Gjithsesi, ky model që është sot Tirana, pra një metropol frenetik dhe vibrant, kërkon apo mund të ketë një model alternativ, nëse dihet se si e duan qytetarët. Fakt është se te Çerdhja dhe lagjet e vjetra nuk ka kthim pas, ngaqë kryeqyteti është në një fazë tjetër.

Çfarë duhet të diskutohet

Pikërisht këtu vlen të bëhet diskutimi, debati, qoftë edhe në nivel normal, pa e ngritur akademikisht. Ndërtimet në qendër, zhvillimet në periferi, agresiviteti i fshatrave turistikë etj. Tirana ka ndryshuar totalisht: qendra është zona ku ka më shumë banesa me qira ditore, ndërsa popullsia në shumicë banon në periferitë e saj, dhe gjeopolitika elektorale ka pësuar një ndryshim thelbësor.

Partitë, grupet apo edhe lëvizjet që kanë qenë protagoniste në politikën e kryeqytetit, natyrshëm mund të vijnë me vizionin që kanë për Tiranën.

Dështimi dhe e drejta morale

Protesta që flasin prej muajsh nuk ka asnjë lidhje me Tiranën, pasi objektivi i saj ishte rrëzimi i Edi Ramës dhe i qeverisë së tij. Nëse këtë nuk e ka arritur, atëherë pse ka të drejtën morale kjo protestë që të rihyjë në politikë kur ka dështuar? Përkundrazi, duhet të tërhiqet dhe të reflektojë për këtë dështim, madje me një periudhë të gjatë përmbajtjeje, sepse ka përdorur edhe mjete jo demokratike si dhuna dhe djegia e Tiranës.

Fushata për kreun e bashkisë është politike, dhe nuk pranon që të dalin në skenë kandidatë të atyre që dogjën qytetin.

Burimi: tirananews.al

Të fundit Të gjitha