Pas shumë vitesh në industrinë e modës, Bella Hadid ka vendosur të rikthehet te një prej kujtimeve më të vështira të fillimit të karrierës së saj. Modelja ka zbuluar se, kur ishte vetëm 17 vjeçe, u përball me një koment të ashpër për fizikun e saj, gjatë një takimi të parë me një stiliste.
Komenti që e lënduar në fillim të karrierës
Në një intervistë për revistën “Harper’s Bazaar”, Bella tregoi se në atë kohë i ishte thënë se nuk kishte trupin e përshtatshëm për të veshur krijimet e Saint Laurent dhe se duhej të humbiste disa kilogramë.
“Kur isha 17 vjeçe dhe shkova në takimin tim të parë me një stiliste, të cilën nuk do ta përmend me emër, në thelb më tha se isha shumë e shëndoshë për të veshur Saint Laurent dhe se duhej të humbisja disa kilogramë”, rrëfeu ajo.
Sot, ironia e kësaj historie është se Hadid është një prej imazheve kryesore të shtëpisë së modës Saint Laurent, ndërsa ka bashkëpunuar edhe me emra të tjerë të mëdhenj të industrisë, përfshirë Prada. Ajo e cilësoi këtë si një arritje të veçantë, duke kujtuar se sa ndryshe ishte trajtuar në fillimet e saj.
Modelja foli gjithashtu për transformimin që ka pësuar industria e modës ndër vite dhe rëndësinë e njerëzve që kanë luftuar për një mjedis më të shëndetshëm dhe më pranues për modelet.
Marrëdhënia me trupin dhe presioni publik
Duke u ndalur te raporti me pamjen fizike, Bella theksoi se ka arritur të ndërtojë një marrëdhënie më pozitive me trupin e saj dhe të mos lejojë që pritshmëritë e të tjerëve të përcaktojnë mënyrën se si e sheh veten.
“E dua trupin tim dhe është në rregull nëse ti mendon se nuk dukem ashtu siç duhet sipas pritshmërive të tua”, u shpreh ajo.
Një tjetër çështje që preku gjatë intervistës ishte presioni i vazhdueshëm ndaj personazheve publike, të cilët fotografohen dhe komentohen për çdo ndryshim në pamjen e tyre. Hadid kërkoi më shumë mirëkuptim, duke kujtuar se trupi i një gruaje nuk është gjithmonë i njëjtë dhe mund të ndikohet nga ndryshimet hormonale apo problemet shëndetësore.
Vështirësitë emocionale të së kaluarës
Vështirësitë emocionale gjatë adoleshencës nuk janë një temë e re për modelen. Në intervista të mëparshme, ajo ka folur hapur për ankthin, çrregullimet e të ushqyerit dhe pasiguritë që kishte për imazhin e saj trupor.
Në një bisedë me revistën “i-D”, në vitin 2022, Bella tregoi se kishte pasur periudha kur qante pothuajse çdo ditë, pa e kuptuar plotësisht atë që po përjetonte. Ishte pikërisht terapia ajo që e ndihmoi të kuptonte më mirë veten dhe të përballej me vështirësitë e së kaluarës.
Burimi: bordo.al









