TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul. Në fokus ishin integrimi evropian i Shqipërisë, thellimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësitë për rritjen e investimeve gjermane në vend.
Gjermania si partner strategjik
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku e cilësoi Gjermaninë si një partner strategjik të Shqipërisë, duke theksuar se ekzistojnë mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë kyç të ekonomisë.
“Një takim shumë miqësor me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul. Biseduam për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe për reformat që i duhen vendit për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shkroi Tabaku.
Reformat si kusht për investime
Deputetja demokrate nënvizoi se tërheqja e investimeve gjermane kërkon zbatimin e plotë të reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për bizneset.
“Gjermania është një nga partnerët strategjikë të Shqipërisë. Kemi mundësi ta thellojmë këtë partneritet, të zgjerojmë bashkëpunimin në sektorë kyç dhe të tërheqim më shumë investime gjermane.
Kjo kërkon reforma të zbatuara deri në fund, që forcojnë sundimin e ligjit dhe u japin bizneseve sigurinë për të investuar. Janë pikërisht këto reforma që e afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Evropian dhe u shërbejnë, mbi të gjitha, qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Tabaku.
/gj.m/r.e/a.f/
Burimi: ata.gov.al










