A mund të jetë deputetja shkodrane Marjana Koçeku një figurë e mundshme për drejtimin e demokristianëve në Shqipëri? Kjo pyetje po shtrohet në qarqet demokristiane shqiptare. Ajo sjell disa elemente që kësaj lëvizjeje i nevojiten: një brez të ri, përfaqësim parlamentar dhe mundësinë për të afruar qytetarë që kërkojnë një alternativë politike me identitet të qartë dhe fytyra të reja.
Bazat e identitetit politik
Koçeku është një katolike e përkushtuar dhe manifeston një filozofi të frymëzuar nga vlerat e krishtera. Kjo përbën një bazë të rëndësishme për një parti demokristiane, e cila synon t’i përkthejë këto vlera në politikë përmes përgjegjësisë, solidaritetit dhe shërbimit ndaj qytetarëve. Me figurën dhe angazhimin e saj, Koçeku mund t’i japë partisë energji të re dhe ta ndihmojë të ngrihet politikisht e moralisht.
Koçeku mund të shërbejë si pikë bashkimi për partitë dhe fraksionet demokristiane, të cilat prej vitesh nuk kanë arritur të krijojnë përfaqësim të përbashkët e me peshë.
Rruga drejt një kongresi të përbashkët
Pas një drejtimi të gjatë të Nard Ndokës, një kongres i përbashkët do t’u jepte demokristianëve mundësinë të diskutojnë të ardhmen dhe të zgjedhin drejtuesit me votë. Në këtë proces, Marjana Koçeku mund të ishte një kandidate serioze për kryetare, nëse vendos ta marrë përsipër këtë përgjegjësi dhe fiton mbështetjen e strukturave.
Një lëvizje e bashkuar, me drejtim të ri dhe program që u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve, mund të synojë përfaqësim më të fortë në zgjedhjet parlamentare duke arritur te krijimi i një grupi parlamentar demokristian. Kjo natyrisht kërkon edhe një vendim burrnor të Nard Ndokës, i cili jep dorëheqjen. Me pas shkohet te Kongresi përbashkues demokristian, ku spikatin figura të historisë së kësaj force politike që nga Zef Bushati, te Mhill Gecaj, te Nikolin Jakaj e deri te Nard Ndoka të cilët mund të jenë shtabi i organizimit të këtij kongresi përbashkues e ku Marjana Koçeku të jetë ikona demokristiane.
Karakteri dhe qëndrimi përballë kritikës
Deputetja e ka treguar forcën e karakterit, vizionin politik dhe vendosmërinë përballë sulmeve të mazhorancës.
Burimi: kohajone.com










