Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Ekonomia globale pas përfundimit të luftës në Iran

Ekonomia globale pas përfundimit të luftës në Iran
Foto: reporter.al

Me zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA tashmë të përfunduara, ekonomistët dhe investitorët do ta përqendrojnë gjithnjë e më shumë vëmendjen tek ajo që do të ndodhë pas përfundimit të luftës në Iran, veçanërisht pasi Presidenti Donald Trump ka deklaruar se lufta është “praktikisht e përfunduar”. Prej muajsh, negociatat për paqe me Iranin kanë mbajtur tregjet financiare në pasiguri, duke shkaktuar luhatje të forta në bursat e aksioneve dhe tregjet e lëndëve të para. Kjo ka ndodhur ndërsa negociatat kanë kaluar vazhdimisht nga kërcënimet dhe retorika e ashpër e palëve te raportimet për një armëpushim të mundshëm.

Përfundimi i luftës në Iran do të sillte një sërë pasojash të rëndësishme për ekonominë botërore dhe tregjet financiare. Para së gjithash, lufta u ka shkaktuar vendeve të Gjirit dëme që tejkalojnë 200 miliardë dollarët. Këto vende, së bashku me ekonomitë e tjera arabe, përfaqësojnë rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto botëror. Pavarësisht nëse konflikti merr fund përmes një marrëveshjeje paqeje apo si rezultat i një përshkallëzimi të rëndë ushtarak, rimëkëmbja ekonomike e rajonit do të jepte një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike globale.

Rindërtimi dhe fluksi i kapitalit drejt Lindjes së Mesme

Pritshmëritë për një rimëkëmbje të shpejtë dhe të fuqishme pas luftës do ta kthenin Lindjen e Mesme në një destinacion edhe më tërheqës për kapitalin ndërkombëtar. Qeveritë e rajonit pritet të alokojnë fonde të konsiderueshme për sektorin e mbrojtjes, me synimin për të forcuar sigurinë dhe për të adresuar dobësitë e zbuluara gjatë konfliktit. Paralelisht, rindërtimi i objekteve të dëmtuara të sektorit energjetik dhe i infrastrukturës tjetër strategjike do të kërkojë investime që arrijnë në qindra miliarda dollarë. Ky fluks i ri kapitali pritet të ushtrojë presion rritës mbi çmimet e pronave të paluajtshme të nivelit të lartë.

Dedollarizimi dhe rezervat valutore

Ndërkohë, procesi i dedollarizimit pritet të marrë hov të mëtejshëm, pasi fondet sovrane të pasurisë dhe investitorët institucionalë të Lindjes së Mesme po orientohen drejt alternativave të tjera të investimit, duke pakësuar ekspozimin e tyre ndaj dollarit amerikan. Në fakt, investitorët në mbarë botën kanë nisur tashmë të reduktojnë zotërimet e aktiveve të denominuara në dollarë. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, dollari amerikan përbënte 56,7% të rezervave valutore globale në tremujorin e dytë të vitit 2026, kundrejt 57,2% në tremujorin pararendës. Në vitin 2025, rezervat globale të arit tejkaluan zotërimet e obligacioneve të thesarit amerikan nga qeveritë e huaja, megjithëse kjo prirje u ndikua kryesisht nga rritja e çmimit të arit, e nxitur nga blerjet e sektorit privat.

Një tërheqje e kapitalit të Lindjes së Mesme nga tregu amerikan do të sillte reduktimin e burimeve të financimit në SHBA, duke rritur kostot e huamarrjes në të gjithë ekonominë. Në të njëjtën kohë, rënia e kërkesës për obligacionet e thesarit amerikan do të ushtronte presion për rritjen e yield-eve, duke e bërë edhe më të kushtueshëm financimin e borxhit gjigant prej 40 trilionë dollarësh të qeverisë federale amerikane.

Pasojat për inteligjencën artificiale

Kapitali nga Lindja e Mesme ka qenë një nga burimet kryesore të financimit të ciklit të investimeve në inteligjencën artificiale, të dominuar nga Shtetet e Bashkuara, me miliarda dollarë që janë orientuar drejt qendrave të të dhënave dhe infrastrukturës kompjuterike. Për shembull, në tetor u raportua se OpenAI ishte në negociata me fonde sovrane të pasurisë dhe investitorë të tjerë në Emiratet e Bashkuara Arabe për një kontribut deri në 10 miliardë dollarë, në kuadër të raundit të planifikuar të financimit prej 30 miliardë dollarësh.

Nëse miliarda dollarë të destinuar për projekte në SHBA do të ridrejtoheshin drejt rindërtimit pas luftës dhe mundësive të tjera të investimit në Lindjen e Mesme, kjo do të ndikonte negativisht në sektorin e inteligjencës artificiale. Kompanitë e teknologjisë do të përballeshin me vështirësi në sigurimin e financimit për planet e tyre për ndërtimin e qendrave të reja të të dhënave dhe blerjen e çipave të nevojshëm për funksionimin e tyre. Rritja e kostos së kapitalit në SHBA po shfaqet tashmë si pengesa e mundshme e radhës për zgjerimin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale në vend, siç vë në dukje edhe Wall Street Journal.

Ngushtica e Hormuzit dhe çmimet e lëndëve të para

Sigurisht, përfundimi i luftës do të mundësonte edhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve detare më strategjike në botë, pas gati një viti gjatë të cilit ajo ka qenë praktikisht e bllokuar. Transporti i naftës bruto dhe produkteve të rafinuara të saj, gazit natyror të lëngshëm, plehrave kimike, heliumit dhe kimikateve industriale do të rifillonte normalisht përmes kësaj ngushtice. Kjo mund të sillte uljen e çmimeve të lëndëve të para dhe lehtësimin e presioneve inflacioniste. Si rrjedhojë, do të zbehej edhe presioni për rritjen e normave të interesit në SHBA, duke frenuar potencialisht rritjen e kostove të huamarrjes.

Marrim si shembull heliumin, një lëndë thelbësore për prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe pajisjeve mjekësore. Katari furnizon rreth një të tretën të ofertës globale të këtij gazi. Rifillimi i transportit të heliumit përmes Ngushticës së Hormuzit do të sillte uljen e çmimeve, megjithëse rikthimi i furnizimit në nivelet e para luftës mund të kërkojë disa vite, nëse objektet e dëmtuara dhe infrastruktura përkatëse kanë nevojë për riparime të konsiderueshme.

Pasojat gjeopolitike

Një tjetër aspekt i rëndësishëm janë pasojat gjeopolitike. Nëse SHBA-ja vonon rindërtimin e bazave të saj ushtarake dhe tërheq anijet luftarake nga Gjiri, duke humbur kështu mbështetjen logjistike të nevojshme për të ruajtur praninë dhe kapacitetet e saj operacionale në rajon, Kina do të përpiqej me shpejtësi të shfrytëzonte këtë boshllëk strategjik. Qeveritë e vendeve të Gjirit mund të kërkonin gjithashtu marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me Turqinë ose Pakistanin. Ndërsa ndikimi amerikan në Lindjen e Mesme do të dobësohej ndjeshëm, India do të kishte edhe më pak arsye për t’u rreshtuar në krah të SHBA-së.

Edhe nëse lufta do të përfundonte që nesër, ekonomia globale nuk do të mund t’i rikthehej menjëherë gjendjes së mëparshme. Pasojat e konfliktit mbi tregtinë ndërkombëtare, çmimet e lëndëve të para, flukset e investimeve dhe tregjet financiare do të vazhdonin të ndiheshin edhe shumë kohë pasi të kishin pushuar të shtënat e fundit.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Global Economy After the Iran War Ends

Burimi: www.reporter.al

Të fundit Të gjitha