TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka publikuar pamje nga protesta e zhvilluar sot pranë Ministrisë së Arsimit, ku shfaqen protestues të maskuar duke hedhur gurë drejt efektivëve të Policisë së Shtetit.
Në reagimin e saj në rrjetet sociale, Koçiu dënoi aktet e dhunës dhe shprehu mbështetjen për forcat e policisë.
“Me maska në fytyrë, pas kazanëve në flakë dhe me gurë nëpër duar kundër Policisë së Shtetit. Ky është ‘projekti’ i tyre për Shqipërinë! Asgjë e re nga fronti i vjetër i rrëmujës”, theksoi Koçiu.
Zëvendëskryeministrja shprehu respekt dhe mirënjohje për Policinë e Shtetit dhe zero tolerancë ndaj zjarrvënësve me kapuç para ligjit.
Reagimi i zëvendëskryeministres vjen pas incidenteve dhe përplasjeve të regjistruara gjatë protestës pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit hodhën gurë dhe i vunë flakën koshave të mbeturinave, ndërsa policia përdori autobotet me ujë dhe spraj me piper.
/gj.m/r.e/
Burimi: ata.gov.al










