Kurti në hapjen e Swiss Medical School
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e edicionit të katërt të Swiss Medical School, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes mjekëve shqiptarë në mbarë botën.
Kurti foli për bashkëpunimin e mjekëve shqiptarë, të cilët e kombinojnë përgjegjësinë profesionale dhe personale me nevojën për bashkëpunim dhe diskutim, me qëllim përmirësimin e konsultimeve të ardhshme mjekësore për shëndetin publik të qytetarëve tanë dhe pacientëve kudo.
Mbështetja për mjekët dhe investimet në shëndetësi
‘’Ju falënderoj në veçanti që, krahas përgjegjësive institucionale ku punoni në Zvicër, gjeni kohë dhe mundësi për ta ndarë përvojën tuaj me kolegët këtu në Kosovë. Përmes këtij angazhimi, njohuritë e fituara jashtë vendit bëhen pjesë e zhvillimit profesional edhe këtu tek ne dhe, rrjedhimisht, e kujdesit që marrin qytetarët tanë’’, tha ai.
Kryeministri foli gjithashtu për mbështetjen e Qeverisë për kushte më të mira pune për mjekët, me pajisje bashkëkohore dhe me mundësi të reja trajnimi, duke përmendur edhe investimet që Qeveria ka bërë në shëndetësi.
Kthimi i mjekëve në Kosovë
Duke shprehur shqetësimin për fenomenin e njohur si ‘’ikja e trurit’’, Kurti theksoi edhe dukurinë e kundërt: vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë u kthyen për të jetuar dhe punuar në Kosovë.
“I mirëpresim ata që vendosin të jetojnë e të punojnë këtu dhe çmojmë kontributin e kolegëve që vazhdojnë të punojnë jashtë vendit, por herë pas here kthehen në vendlindje për të ligjëruar, për të trajnuar mjekë të rinj ose për të punuar krahas ekipeve tona. Ky takim është shembull i një bashkëpunimi të tillë. Dëshirojmë që ai të vazhdojë edhe pas ditës së sotme, mes kolegëve dhe institucioneve ku ata punojnë’’, tha ai.
Burimi: pressonline.al










