Një projekt për shndërrimin e kullave tradicionale të vendit në bujtina ofron një shije të vërtetë të mikpritjes epike, në një pjesë të vendit pothuajse të paprekur nga turizmi.
Drita e diellit depërton përmes një dritareje të vogël prej guri, ndërsa dërrasat e dyshemesë prej druri kërcasin teksa ngrohen. Tingulli i zileve të deleve dëgjohet nga një tufë që kalon aty pranë. Aroma e bukës që piqet përzihet me tymin e zjarrit të mbrëmjes së kaluar.
Kullat që rikthehen
Po qëndroj në një kullë, një prej shtëpive tradicionale të fortifikuara prej guri që gjenden në të gjithë Shqipërinë e Veriut, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Dikur, ato shërbenin për të mbrojtur familjet në kohë konfliktesh dhe për të strehuar udhëtarët e lodhur në rrugët tregtare, përpara se shumica e tyre të binin në gjendje të amortizuar gjatë shekullit XX.
Një shteg i ri i gjatë, i zhvilluar nga Shoqata Shqiptare e Agroturizmit, synon t’u rikthejë disa prej tyre shkëlqimin e dikurshëm dhe t’u japë vizitorëve mundësinë të zbulojnë një pjesë të Shqipërisë pothuajse të paprekur nga turizmi.
Shtegu i Kullave kalon nëpër disa prej zonave më pak të vizituara të Shqipërisë verilindore, me ndalesa në rajonet e Mirditës, Matit, Bulqizës dhe Dibrës. I projektuar për t’u përshkuar në këmbë, nën shoqërinë e një guide, ky udhëtim zgjat nëntë ditë dhe përfshin më shumë se 160 kilometra, duke kaluar nëpër fshatra tradicionale, pllaja të larta, pyje dhe lugina lumenjsh. Në të ardhmen parashikohen edhe itinerare për biçikleta dhe automjete 4×4.
Disa etapa të shtegut janë të gjata dhe mund të ndahen lehtësisht në dy ditë ose të shkurtohen përmes transferimeve me automjet. Mundësitë për të qëndruar në bujtina, ferma dhe kulla ndihmojnë në lidhjen e udhëtarëve me trashëgiminë kulturore të rajonit, në një mënyrë që po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u gjetur në pjesët më të frekuentuara të vendit.
Kulla, në format e saj të ndryshme, është elementi qendror i këtij shtegu. Të ndërtuara tradicionalisht me gurë gëlqerorë dhe dru nga malet përreth, kullat ndjekin një strukturë të rregullt arkitekturore, por njëkohësisht pasqyrojnë karakterin e familjeve që i kanë porositur.
Të ndërtuara nga mjeshtër shumë të aftë, kullat e para ishin projektuar për t’u bërë ballë kushteve të vështira atmosferike të rajonit dhe realiteteve historike edhe më të vështira, përfshirë pushtimin osman të shekullit XV dhe konfliktet e shpeshta ndërmjet fiseve.
Shumë kulla të tjera u ndërtuan gjatë shekujve XVIII dhe XIX, por gjatë regjimit komunist në Shqipëri, nga viti 1944 deri në vitin 1991, shumë familjeve iu konfiskuan kullat dhe, kur arritën t’i rimerrnin, i gjetën në gjendje të amortizuar. Sot, shumë prej tyre qëndrojnë bosh, pas largimit masiv të banorëve nga zonat rurale drejt qyteteve gjatë viteve 1990 dhe 2000.
“Po humbasim traditat, sepse njerëzit nuk po qëndrojnë më këtu”, më thotë Nik Nikolli, ndërsa ecim nëpër fshatin kodrinor të Lufajt, në etapën e parë të shtegut.
Nikolli është drejtor i “Infokulla”-s, një muze dhe qendër e vogël kulturore në qytetin e afërt të Rubikut, e cila ofron falas harta për ecje në natyrë dhe informacione historike për rajonin.
Ai shpjegon se shumë prej fshatrave përgjatë itinerarit kanë mbetur me vetëm një ose dy familje. Prezantimi i idesë së turizmit ka qenë i ngadaltë, pasi koncepti i pranimit të parave nga një mik apo mysafir bie ndesh me traditat e konsoliduara të mikpritjes.
Ai shpreson se ky shteg do t’i nxisë banorët vendas të hapin kullat ose fermat e tyre si bujtina, duke u ofruar vizitorëve përvoja unike dhe njëkohësisht duke siguruar të ardhura shtesë për familjet e tyre.
Gjatë ecjes në shteg, është e lehtë të kuptosh atë që Nikolli nënvizon për mungesën e banorëve në fshatra dhe mikpritjen e atyre që kanë mbetur.
Në disa ditë, udhëtimi ynë zgjat më shumë se sa ishte parashikuar, pasi unë dhe guida ime ftohemi vazhdimisht për të pirë kafe dhe na shërbehen me bollëk rrush, kumbulla dhe arra të sapovjelura.
Bujqësia është shtylla kryesore e jetës në këto zona dhe banorët punojnë në ara nga agimi deri në perëndim të diellit. Megjithatë, ata duken gjithmonë të gatshëm të bëjnë një pushim, të presin vizitorët dhe të ndajnë me ta histori nga e kaluara.
Mikpritja që mbijeton
Traditat e konsoliduara të mikpritjes vazhdojnë të ruhen në fshatra. Hajrija Qerimi është rritur në një kullë të madhe në fshatin Bruç. Familja e saj njihej për mikpritjen dhe rregullisht strehonte një numër të madh udhëtarësh në shtëpi.
Pjesa më e madhe e Shtegut të Kullave ndjek rrugë të vjetra në një terren kodrinor karstik, të mbushur me shpella, gështenja dhe fusha misri.
Shenjat orientuese të shtegut janë ende të pakta dhe në disa pjesë duhet kaluar nëpër bimësi të dendur, por itinerari u mundëson udhëtarëve të ndjekin shtigjet që përdoren ende sot nga banorët e fshatrave, duke krijuar shumë mundësi për ndërveprim me komunitetet lokale.
Në fund të ditës së dytë të udhëtimit, në fshatin Derjan, 91-vjeçarja Hajrija Qerimi buzëqesh teksa më tregon për fëmijërinë e saj në një kullë të madhe aty pranë.
Babai i saj ishte një fermer i suksesshëm, i cili kujtohet ende për bujarinë e tij, ndërsa familja priste rregullisht udhëtarë. Ajo tregon se në tryezën e darkës nuk kishte asnjëherë më pak se 10 persona.
“Babai më këshilloi që në moshë të re se kujtdo që vinte në shtëpi duhej t’i ofrohej ushqim dhe pije. Ai më mësoi se çfarë dhe si duhej të shërbeja. E rëndësishme ishte që askush të mos largohej pa marrë mikpritjen më të mirë të mundshme”, shton ajo me krenari.
Një nga pikat më tërheqëse të shtegut është mundësia që udhëtarët të përjetojnë këtë mikpritje tradicionale, duke qëndruar në kullat e restauruara.
Në ditën e katërt, në fshatin kodrinor të Dushajt, qëndroj në Kulla Hupi, e cila u hap si bujtinë në vitin 2021. Pronari, Luli Hupi, kaloi vite duke punuar në një minierë aty pranë, duke kursyer para për të restauruar shtëpinë pjesë-pjesë.
“Kur vjen këtu, ke një familje që të pret dhe ndihesh sikur je në shtëpinë tënde”, thotë ai.
Për Hupin, kjo nuk është thjesht një sipërmarrje biznesi, pasi ai është i angazhuar të mbështesë edhe komunitetin lokal.
Ai bashkëpunon me më shumë se 10 familje, të cilat furnizojnë restorantin me mish, djathë, mjaltë, bukë dhe produkte të tjera. Gjithashtu, këto familje shërbejnë si guida për ecje në natyrë, ekskursione me kuaj dhe kurse gatimi.
Ai i mban të ulëta numrat e vizitorëve dhe nuk ka asnjë interes për trendin drejt turizmit masiv në Shqipëri.
“Njerëzit më thonë se jam budalla që nuk kam 50 tavolina në restorant”, thotë ai duke qeshur, ndërsa ulemi pranë zjarrit që digjet në oxhakun e odës, dhomës tradicionale të pritjes, pas një darke të thjeshtë me bukë të ngrohtë misri, reçel fiku, sallata turshi, djathë dhie dhe gjizë.
“Por, unë nuk dua 50 tavolina, dua 10 dhe dua që njerëzit të kenë nevojë të rezervojnë një muaj përpara”, shton ai.
Ndikimi i Hupit ndihet qartë në zonën përreth, ku shumë kulla po i nënshtrohen proceseve të restaurimit dhe ideja e një forme më të ngadaltë të turizmit po përqafohet gjithnjë e më shumë.
Kampingu në kanion
Në natën time të parafundit, qëndroj në Butterfly Camping, një kamping i vogël i vendosur në një kanion, në brigjet e lumit Drini i Zi.
Pronari, Labinot Murrja, ndez një zjarr në natyrë, më shërben një gotë raki rrushi vendase dhe më tregon se si ai dhe babai i tij e pastruan dhe e rrafshuan vetë tokën përgjatë brigjeve të lumit.
Ata zgjodhën të mbanin gjithçka të thjeshtë, duke ndërtuar tri kabina të vogla dhe duke lënë hapësirë për ngritjen e çadrave, tavolinave dhe një kasolleje me kuzhinë bazike.
Murrja thotë se nuk është i interesuar të tërheqë sa më shumë turistë, por synon vizitorë me shpirt aventurier, të interesuar për natyrën dhe që dëshirojnë të përjetojnë jetën në fshatin aty pranë, ku ai ende jeton me familjen e tij.
Ai tregon se banorët vendas ishin skeptikë kur nisi këtë aktivitet, duke pyetur veten se përse dikush do të kishte interes të vinte në një vend kaq të largët. Megjithatë, kur panë se vizitorët po mbërrinin, ndryshuan mendim dhe Murrja thotë se biznese të ngjashme po hapen tashmë edhe në zona të tjera të rajonit.
Ashtu si Hupi, edhe Murrja thekson se synimi i tij është t’u ofrojë vizitorëve një përvojë unike, dhe jo të sigurojë fitime të mëdha.
“E dua këtë punë”, thotë ai me buzëqeshje. “Nuk të bën të pasur, e bëj vetëm nga pasioni”, shton pas pak.
Një zhvillim më i ngadaltë
Industria e turizmit në Shqipëri ka shënuar një rritje të madhe gjatë viteve të fundit. Megjithatë, protestat e vazhdueshme, të nxitura nga planet për ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë bregdetare të mbrojtur, kanë bërë që banorët vendas të shprehin pakënaqësinë e tyre për ritmin dhe natyrën e paqëndrueshme të zhvillimit në vend.
Ndërsa pjesa më e madhe e turizmit në Shqipëri është përqendruar në bregdet dhe në Alpet e Veriut, zonat e brendshme rurale kanë mbetur në vështirësi për të gjetur atë që mund t’u ofrojnë vizitorëve.
Duke përqafuar traditën e kullave dhe mikpritjen e tyre të veçantë, këto zona mund të kenë gjetur pikërisht atë që u nevojitet për të tërhequr vizitorët.”/ a.jor.
Burimi: ata.gov.al









