Reality show-t nuk janë gjithmonë thjesht një lojë psikologjike për të fituar çmimin e madh. Për disa personazhe të showbiz-it shqiptar, pjesëmarrja në këto formate ka rezultuar një trampolinë drejt suksesit, një mundësi për të zgjeruar karrierën, për të ndërtuar biznese apo për të fituar simpatinë e publikut. Disa u bënë emra të kërkuar në televizion, të tjerë e kthyen popullaritetin në bashkëpunime dhe projekte komerciale, ndërsa disa fituan një imazh krejt të ri në sytë e njerëzve.
Rikthimi i Luiz Ejllit
Luiz Ejlli është me siguri shembulli më i qartë i një rikthimi të madh falë një reality show. Ndonëse ishte këngëtar i njohur dhe kishte përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision, përpara hyrjes në “Big Brother VIP” artisti ishte tërhequr prej vitesh nga jeta publike. Pjesëmarrja në spektakël e riktheu fuqishëm në vëmendje, ndërsa humori, spontaniteti dhe batutat e tij e kthyen në një fenomen. Pas fitores, ai u rikthye në muzikë, koncerte, reklama dhe aktrim, duke u shndërruar në një nga emrat më të kërkuar të showbiz-it.
Çiljeta Xhilaga nuk kishte nevojë për “Ferma VIP” që të bëhej e famshme, pasi kishte dy dekada në skenë. Megjithatë, eksperienca në fermë i dha mundësinë të tregonte një anë tjetër të vetes. Marrëdhënia e saj me djalin e partnerit, Alban Hoxhës, dhe dashuria që shfaqi ndaj tij morën vëmendje të madhe. Publiku pa një Çiljetë të ndjeshme, të dashur dhe të përkushtuar ndaj familjes, përtej imazhit me të cilin ishte identifikuar ndër vite. Në këtë rast, reality show nuk i dha famë, sepse ajo s’i ka munguar kurrë, por i dha një tjetër dimension në sytë e publikut.
Nga “Për’puthen” te biznesi
Efi Dhedhes është po ashtu ndër personazhet që e shfrytëzuan më së miri ekspozimin televiziv. Fillimisht u bë e njohur përmes “Për’puthen”, ku karakteri i drejtpërdrejtë dhe reagimet e forta e kthyen në një nga konkurrentet më të komentuara. Pas emisionit, ajo u pozicionua ndër influencerat më të paguar në tregun shqiptar, ndërsa pjesëmarrja në “Big Brother VIP” i dha karrierës një tjetër ‘boost’. Krahas bashkëpunimeve me marka të ndryshme, Efi investoi edhe në studion e saj të tatuazheve, duke e kthyer popullaritetin në mundësi konkrete profesionale.
Tea Trifoni është një tjetër emër që “Për’puthen” e vendosi në qendër të vëmendjes. Qetësia në komunikim, pamja e ëmbël dhe historia e saj sentimentale e bënë një nga konkurrentet më të komentuara. Më pas, aktiviteti në rrjetet sociale, bashkëpunimet promocionale dhe pjesëmarrja në “Big Brother VIP” e mbajtën në vëmendjen e publikut, duke e kthyer në një personazh që arriti ta zgjeronte praninë e saj përtej emisionit ku u bë e njohur.
Ina Kollçaku u bë e njohur për publikun e gjerë përmes “Për’puthen”, ndonëse kishte ndërtuar më herët profilin e saj si sipërmarrëse. Karakteri i drejtpërdrejtë, vetëbesimi dhe deklaratat pa komplekse për paranë, luksin dhe pavarësinë financiare e bënë një personazh të komentuar. Reality show i dha një audiencë shumë më të gjerë dhe e bëri emrin e saj të njohur përtej rrethit të biznesit, e po ashtu Ina jo pak herë e ka shfrytëzuar famën e saj për të ngritur zërin rreth kauzave të ndryshme social-ekonomike.
Fation Kuqari është një tjetër personazh që publiku e identifikon me “Për’puthen”. Me karakterin e drejtpërdrejtë, vetëbesimin dhe prirjen për të qenë pjesë e debateve, ai u kthye në një nga emrat më të komentuar të formatit. Megjithatë, përtej ekranit, Fationi kishte nisur të merrej me biznes që në moshë të re. Pjesëmarrja në emision i dha një njohje shumë më të gjerë publike, ndërsa ai vijon sot suksesshëm rrugën e sipërmarrjes.
Polemika, guxim dhe zëra të rinj
Shqipe Hysenaj u bë fillimisht e njohur në “Për’puthen”, ndërsa më pas u rikthye në “Big Brother VIP Kosova”. Karakteri i drejtpërdrejtë, polemikat dhe gatishmëria për të thënë atë që mendon e mbajtën vazhdimisht në qendër të diskutimeve. Ajo nuk është tipi i personazhit që përpiqet të jetë i pëlqyeshëm nga të gjithë dhe pikërisht kjo e bën të dallueshme. Më pas, provoi edhe një rol tjetër televiziv si opinioniste në “Fan Club”.
Edona James është ndoshta një nga rastet më domethënëse përtej famës dhe karrierës. Pjesëmarrja e një gruaje transgjinore në “Big Brother VIP Kosova” ishte një zhvillim i rëndësishëm në një shoqëri ku paragjykimet ndaj komunitetit trans mbeten të pranishme. Edona arriti të fitonte vëmendjen dhe dashurinë e publikut me karakterin spontan, humorin e çiltër dhe mënyrën pa komplekse të komunikimit. Ajo u bë një nga personazhet më të komentuara të formatit dhe ndihmoi që publiku ta njihte përtej paragjykimeve, përmes një historie njerëzore dhe një personaliteti të veçantë.
Nga konkurrente te moderatore
Heidi Baci është shembulli i një konkurrenteje që arriti ta kthente eksperiencën në “Big Brother VIP” në një mundësi konkrete për të hyrë në televizion. Qetësia, eleganca dhe mënyra e matur e komunikimit i siguruan mbështetje të konsiderueshme nga publiku. Pas spektaklit, ajo u bë pjesë e panelit të “Goca & Gra”, “Big Brother VIP Fan Club”, “Wake Up” e së fundmi si moderatorja e “Përputhen”. Për Heidin, reality show nuk ishte vetëm një eksperiencë televizive, por një derë e hapur drejt moderimit dhe një kapitull i ri profesional.
Burimi: bordo.al










