Shqipëria ka plazhe të bukura, dhe shpesh italianët zgjedhin ta kalojnë pushimin këtu, edhe për të kursyer para. Vendi mesdhetar ofron akomodime me kosto të ulët. Lukova dhe Ksamili, dy pikat turistike në Rivierën Shqiptare, bashkojnë bukurinë natyrore me komoditetin e jashtëzakonshëm, dhe për këtë arsye konsiderohen si “Maldivet e Evropës”, shkruan Elmar Burchia në gazetën italiane “Corriere Della Sera”, në rubrikën “Dove Viaggi”.
Rekord turistik në Shqipëri
Vitin e kaluar, Shqipëria regjistroi shifra rekord në sektorin e turizmit. Sipas zyrës vendase të statistikave, vendin kanë vizituar 9,5 milionë shtetas të huaj, një rritje prej 33,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Vendi ka vetëm 2,8 milionë banorë. Piku i sezonit u arrit në gusht, kur u regjistruan 2 milionë pushues. Shumë prej tyre ishin italianë, rreth 10% e totalit.
Pse zgjedhin Shqipërinë
Ka disa arsye pse njerëzit zgjedhin ta vizitojnë Shqipërinë në vitet e fundit. Së pari, kurioziteti për të njohur një vend më pak të njohur. Së dyti, afërsia me Italinë. Së treti, çmimet e ulëta, krahasuar me destinacionet e mbipopulluara, ku kostot janë shumë më të larta.
Shqipëria ofron plazhe të bukura dhe të pastra, pamje mahnitëse, peizazhe pothuajse të paprekura, det të mrekullueshëm, kuzhinë të shijshme, jetë të gjallë nate dhe mikpritje shumë të ngrohtë.
Plazhet më të bukura
Vija bregdetare shqiptare shtrihet në 363 kilometra, dhe pothuajse të gjitha plazhet janë tërheqëse. Sipas ekspertëve të udhëtimeve, dy nga më të vlerësuarit janë Lukova dhe Ksamili, dy vendpushime në Rivierën Shqiptare që konsiderohen si “Maldivet e Evropës”.
Burimi: living.al










