Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Shkulën gjithçka, përveç Ramës

Shkulën gjithçka, përveç Ramës
Foto: tirananews.al

Nga Filip Çakuli

Besoj se protesta e arriti qëllimin. Semaforët u shkulën, koshat u dogjën, bulevardi u mbyll për rikonstruksion dhe flamingot fluturuan drejt vendeve të nxehta. Edhe dyqanet u blinduan me hekura e llamarina. Tregtia e materialeve të ndërtimit duhet t’u jetë mirënjohëse revolucionarëve.

Karriget e Ramës dhe revolucioni i gjysmuar

Shkulën gjithçka që u doli përpara, por nuk arritën dot ta shkulin Ramën nga istikami.

Ky i fundit vuri disa karrige druri para zyrave, duke i ftuar në dialog. Revolucionarët ua vunë flakën. Pastaj vendosi ulëse guri. Këta ishin të armatosur me molotovë e fishekzjarrë, por harruan të merrnin edhe vare. Revolucioni mbeti në gjysmë të rrugës.

Çdo ditë i bënin thirrje popullit t’u bashkohej, por populli është më i mençur dhe më pragmatik. Nuk ndjek dhunuesit… Atëherë shpikën një demokraci të re: flisnin në megafon në emër të popullit. Ashtu si dikur, kur arrestonin njerëzit në mesnatë në emër të popullit, ndërsa populli flinte.

“Shqipëria kërkon revolucion!”, bërtisnin. Po kush ishte Shqipëria? Ata në shesh, apo ata në kafene që e ndiqnin revolucionin me kafe e cigare?

Me sa duket, populli kishte deleguar përfaqësimin pa e ditur vetë.

Dhe kështu, nga dhjetëra mijëra, revolucioni u katandis në kaposh me një thelë. Një revolucion që filloi kombëtar dhe përfundoi familjar.

Opozita, numrat dhe gjykimi i rrugës

Imagjino protestat kombëtare dhe ndërkombëtare të opozitës që përfundojnë me pak pjesëmarrës. Mirë që ata nuk turpërohen me numrat e ndjekësve, por na vënë dhe neve në siklet, sepse presim dhe dëshirojmë një opozitë të fuqishme.

Nuk më nxë goja t’i quaj studentë ata që e zëvendësojnë argumentin me “Edi Rama të q… robtë”, “Rama legen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe sharje të tjera rrugaçe. U duket se janë njëherësh hetues, prokurorë, gjykatës dhe përmbarues.

Vendimin e kanë dhënë; mungon gjykimi. Madje, sipas parimit të tyre, në burg duhet të shkojnë të dy: Rama dhe Berisha. Për këtë të fundit, çuditërisht, revolucioni nuk ka gjetur ende zgjidhje, sepse kryetari i opozitës dëshiron të privatizojë një “revolucion” që zgjat prej muajsh, pa protestuesit e vetë.

M’u kujtua një fjalë e urtë: atë nuk e qasnin në fshat, ai kërkonte të bijën e priftit.

Dhuna nuk është protestë

Por do të ishte gabim të ngatërrohej protesta me vandalët. Qeverisja ka skandale pa hesap. Pagat, pensionet, çmimet dhe kushtet e jetesës janë arsye më se të mjaftueshme për të protestuar.

Një student duhet të mendojë për provimet, jo nëse do t’i dalin paratë për qiranë dhe ushqimin. Ndërsa pensionisti duhet të jetojë me pensionin, jo të bëjë llogaritë se cilin ilaç të lërë pa blerë. Ka humbur edhe shpresa se gjendja mund të rregullohet. Humbja e iluzioneve është normale; humbja e shpresës është tragjike.

Qeveria duhet t’i dëgjojë. Pavarësisht përpjekjeve për të rregulluar disa gjëra dhe për të bërë dialog për kërkesat e tyre, të jemi realistë: qeveria nuk mund të zgjidhë gjithë problemet, veç të sajat dhe ato të trashëguara nga qeverisjet e mëparshme.

Ka shpikur “pasqyrën”, si Pizarro përballë Atahualpës të inkasve, duke menduar se mjafton ta tregosh pasqyrën për t’u reflektuar.

Nga ana tjetër, opozita duhet të kuptojë se revolucioni nuk bëhet duke djegur koshat, as duke u betuar se përfaqëson popullin. Nëse populli nuk të ndjek, nuk mund ta marrësh peng dhe ta nxjerrësh me detyrim në shesh.

Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë, ka thënë një president amerikan. Por rezistenca nuk është të shkulësh semaforin, të djegësh koshin apo t’i vësh flakën karriges së dialogut. Nuk mund të kërkosh një shtet më të mirë duke shkatërruar qytetin ku jeton.

Bilanci i revolucionit

Në fund, bilanci i revolucionit është mbresëlënës: semaforë të shkulur, kosha të djegur, biznese të blinduara, karrige të karbonizuara dhe flamingo në emigrim. Përgjegjësia për dhunën është individuale, sikurse shkruante Volteri: asnjë flokë bore në një ortek nuk ndjen se ka përgjegjësi.

Karriget e Ramës nuk i dogjën ende. Por me vandalizma dhe molotovë, nga të rinj dhe paramilitarë të opozitës, nuk mund të largosh një qeveri legjitime.

Me kaq shumë dëme dhe kaq pak rezultat, ndoshta duhej të kërkonin dëmshpërblim nga revolucioni.

Burimi: tirananews.al

Të fundit Të gjitha