Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Dogana gjobit Salillarin me 5.1 milionë euro për shkelje në furnizimin me naftë

Dogana gjobit Salillarin me 5.1 milionë euro për shkelje në furnizimin me naftë
Foto: insajderi.org

Dogana e Durrësit i ka vendosur kompanisë “Salillari” një gjobë prej 5.1 milionë eurosh për shmangie të taksave të naftës. Vendimi Nr. 626 i autoriteteve doganore konstatoi lindjen e një borxhi doganor për shkak të mosrespektimit të procedurave për një sasi prej mbi 1.32 milionë kilogramë karburanti, e cila ishte deklaruar nën regjimin e përjashtimit taksor të NATO-s.

Sipas dokumentacionit zyrtar të siguruar nga hetimi doganor në Sektorin e Porto Romanos, kompania “Salillari” kishte marrë një autorizim përjashtimi (Nr. 14695) për importin e materialeve që do të përdoreshin ekskluzivisht për ndërtimin e Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë. Ky status ligjor lejonte që mallrat e caktuara për bazën të mos ngarkoheshin me TVSH, akcizë apo taksa doganore.

Mungesa e dokumentit specifik

Megjithatë, gjatë kontrolleve në terren dhe verifikimit të sistemit kompjuterik Asycuda, audituesit doganorë zbuluan se për një sasi prej 1.3 milionë kg naftë “diesel” 10ppm, kompania nuk kishte paraqitur asnjë kërkesë specifike përjashtimi të miratuar nga Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA).

Për shkak të mungesës së këtij dokumenti autorizues në momentin e zhdoganimit, autoritetet e konsideruan këtë sasi ligjërisht si “mall në qarkullim të lirë” të deklaruar gabimisht nën regjimin e përjashtimit.

Llogaritja e detyrimit

Detyrimi fillestar i papaguar i llogaritur nga dogana arriti shifrën e 156 milionë lekëve, e cila përfshin 60.4 milionë lekë akcizë, 48 milionë lekë TVSH, 42.7 milionë lekë taksë qarkullimi dhe 4.7 milionë lekë taksë karboni.

Pasi rasti u klasifikua si kundërvajtje administrative doganore e kryer nga neglizhenca (Neni 252, për mosrespektim afatesh dhe procedurash), subjektit iu aplikua sanksioni ligjor prej dy herë detyrimit të munguar, që shkon në 312 milionë lekë. Bashkë me detyrimin fillestar, shuma totale që kompania është e detyruar të paguajë është 468 milionë lekë, ose 5.15 milionë euro.

Dogana gjobit Salillarin me 5.1 milionë euro për shkelje në furnizimin me naftë

Reagimi i kompanisë

Përfaqësuesit e subjektit refuzuan të nënshkruajnë procesverbalin dhe në ankimimet e tyre administrative pretenduan se procedurat doganore janë të pavlefshme, pasi malli mbulohej nga marrëveshja kuadër që Shqipëria ka me NATO-n. Ky pretendim u hodh poshtë nga Dogana.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha